Kosova

Kosova merr mbështetje nga Sllovenia për proceset integruese në NATO dhe BE


Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, gjatë takimit të tij me Ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç.

Kosova merr mbështetje nga Sllovenia në proceset integruese në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe në Bashkimin Evropian.

Kështu është thënë në njoftimin e Ministrit të Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, gjatë takimit të tij me Ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç.

“Gjatë takimit, Benedejçiç ka shprehur gatishmërinë e saj për mbështetje ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit në iniciativat dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë dhe ofrimin e përvojës së tyre për proceset integruese në NATO dhe BE”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, përmes këtij njoftimi bëhet e ditur se Mehaj i ka uruar ambasadores mirëseardhje si dhe e ka siguruar atë për bashkëpunim të plotë nga pozitat respektive.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, gjatë takimit të tij me Ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç.

Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj ambasadores Benedejçiç për kontributin e Sllovenisë, si vend anëtar i NATO-s me trupat ushtarake në kuadër të KFOR-it, si dhe për angazhimin e oficerëve sllovenë në kuadër të NALT-it.

“Gjithashtu, e njoftova edhe me të arriturat e përgjithshme dhe zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe qëllimet strategjike për të ardhmen”.

Në fund, të dy janë pajtuar “që bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve, për veç fushave tjera, të thellohet edhe më tej në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore