Lajme

Kosova e sanksionuar nga BE-ja del fituese nga ‘beteja diplomatike’ e marsit


Ilustrim

Kosova shënoi tri fitore diplomatike në rrafshin ndërkombëtar brenda një jave. Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill. Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të muajit maj.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Një fitore tjetër për Kosovën është edhe avancimi i statusit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s – institucion që mbledh rreth vetes mbi 280 përfaqësues nga 32 vende anëtare. Gjithçka pritet të zyrtarizohet në seancën pranverore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s më 27 maj në Sofje të Bullgarisë. Ky është edhe hapi u fundit deri në anëtarësimin e plotë në NATO.

Ndryshe, anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

E në vorbullën e këtyre zhvillimeve, disfata e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara paraqet një fitore të lehtë diplomatike për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar. Rusia dështoi për herë të dytë brenda një jave në përpjekje për të nxitur debat mbi 25-vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 25 mars, propozimi i Rusisë për të diskutuar mbi bombardimet e NATO-s – një tentativë për të ngritur paralele absurde mes ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive të Rusisë në Ukrainë – nuk u përfshi në rendin e ditës sepse Rusia nuk mori mbështetje nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në betejën diplomatike, sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës në qershor, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, zor se mund të injorohen. Sidoqoftë, asnjëra nga arritjet e fundit nuk mund të arrihej pa mbështetjen e aleatëve perëndimorë nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore