Lajme

Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë


Bledi Çuçi dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi bashkë me ambasadorin shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimet si dhe marrëveshjet e deritanishme mes dy shteteve, me theks të veçantë për fushën e sigurisë.

Ministri shqiptar, Çuçi është shprehur se bashkëpunimi i dy ministrive përkatëse mund të merret si shembull dhe model i bashkëpunimit ndërinstitucional në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, kryeministri Kurti dhe ministri i brendshëm, Sveçla kanë shprehur gatishmëri për intensifikimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në fushën e sigurisë, si fushë e interesit të përbashkët, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Çuçi-Sveçla: Aplikim online dhe një leje qëndrimi unike “S’do të ketë më radhë pritje nëpër sportele për shqiptarët andej e këtej kufirit, që duan të pajisen me leje qëndrimi. Aplikim online dhe një leje qëndrimi unike”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, të premten e 19 nëntorit pas një vizite zyrtare në Kosovë.

Çuçi u takua me homologun Xhelal Sveçla, me të cilin diskutuan për çështje të interesit të përbashkët të të dy vendeve. Në fokus të diskutimeve ishin çështjet që lidhen me lëvizjen e njerëzve përmes pikave kufitare, lejet unike të qëndrimit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Të dy ministrat rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin policor mes dy vendeve. Sipas tyre, kjo ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, duke bashkëpunuar në një front të përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore