Kosova

Kosova dhe Serbia takim në Bruksel javen e ardhshme, në nivel të kryenegociatorëve


Foto nga arkivi: Besnik Bislimi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak.

Pasi që të mërkurën në Bruksel, dështoi që të ketë takim të nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dialogu Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të vazhdojë në fillim të korrikut, në nivel kryengociatorësh.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Kurti, në një prononcim para gazetarëve nga Brukseli, pas takimeve që pati me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, dhe të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Fillimi i korrikut, tregoi Kurti, mund të jetë koha kur Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç mund të takohen me ndërmjetësimin e Lajçak-ut.

“Do të ketë diskutim të kryenegociatorëve në fillim të korrikut, mirëpo nuk do të mund të kemi praktikisht zbatim të marrëveshjes, për çka ne jemi shumë të interesuar, pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin e për të cilat ne besojmë se kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave, nënshkrimit të marrëveshjes bazike, tërheqjes së letrës së [Ana] Brrnabiç-it dhe dorëzimit të Milan Radojiçiç-it”, tha Kurti.

Çka ndodhi?

Ndonëse ishte paralajmëruar, të mërkurën nuk është mbajtur takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, derisa ka bërë të ditur se kreu i ekzekutivit kosovar ka paraqitur tri kushte.

Këto komente, Borrell i ka bërë në një konferencë për media nga Brukseli, pas takimeve të ndara që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç-in.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot”, tha Borrel, derisa tregoi edhe tri kushtet e Kurtit.

“E para, formalizmi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radojiçiç-it dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tregoi Borrell kushtet e Kurtit.

Për mospërmbushjen e asaj për çka vetë janë zotuar, Borrell, ka thënë se të dyja palët janë përgjegjëse.

“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit… Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia”, potencoi.

Sa i përket diskutimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç, kryediplomatit evropian nuk i ka rezultuar asgjë jashtë pritshmërive: “të vështira si gjithmonë”.

Ndërsa, Kurti, duke folur për shkaqet se pse ka refuzuar takimin me Vuçiç-in, ka thënë se për një gjë të tillë ka kërkuar garancione, derisa ka përmendur tri kushtet që i ka prezantuar para përfaqësuesve evropianë.

“Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive të cilët i kam theksuar…”, tha Kurti.

“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike vetëm nënshkrimi i marrëveshjes bazike sjell sigurinë ligjore, juridike në njërën anë dhe anulon shkeljet e mëhershme. Garancia e dytë është tërheqja e letrës së ish-kryeministres Brnabiç, sepse në atë letër ajo thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial…”.

“Garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radojiçiç dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës”, shtoi.

Ai potencoi se nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë policor në sulmin terrorist Afrim Bunjaku, mirëpo, ka konsideruar se “Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radojiçiç-in”.

“Kjo është arsyeja pse sot kishim takime bilaterale”.

Nga ana tjetër, Vuçiç ka pretenduar se Kurti “nuk ka guxuar” që ta takojë atë në Bruksel, të mërkurën.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se është kthyer tri herë në takimin me Borrell-in dhe Lajçak-un, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai tha se i është përgjigjur.

Sa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, ai i vlerësoi korrekte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore