Lajme

Korrigjimi i të dhënave në sistemin e pagave do të vazhdojë edhe në ditët e javët e ardhshme


Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transereve dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se korrigjimi apo përshtatja e të dhënave në sistem të pagave, do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme, duke bërë me dije kështu se ende nuk ka përfunduar puna e komisionit për evitim të gabimeve në pagat e zyrtarëve publikë.

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar të gjithë zyrtarët publik të Kosovës, se këtë të premte do të disbursohen pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.

“Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, kërkesat që po shqyrtohen janë gjashtë sosh:

 1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);

2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);

3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);

4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);

5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht  (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).

6. Arsye të tjera”.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, “do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave që përmbajnë mospërputhje me përcaktimet e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore