Lajme

Koreano-jugorët do të bëhen më të rinj, sistemi tradicional i moshës u hoq


Koreja e Jugut ka miratuar ligje për të hequr metodën e vet tradicionale të llogaritjes së moshës.

Vendi ka miratuar standardin ndërkombëtar.

Ky ndryshim i fundit do t’i bëjë qytetarët koreano-jugor një ose dy vite më të rinj në dokumentet zyrtare.

Deri më tani ata konsiderohen të jenë një vjeç kur lindin dhe një vit shtohet çdo 1 janar.

Ekziston edhe një sistem i veçantë për qëllime rekrutimi ose për llogaritjen e moshës ligjore për të pirë alkool dhe duhan, në të cilin mosha e një personi llogaritet nga zero në lindje dhe një vit shtohet më 1 janar.

Që nga fillimi i viteve 1960, Koreja e Jugut ka përdorur për dokumente mjekësore dhe ligjore normën ndërkombëtare të llogaritjes nga zero në lindje dhe shtimit të një viti në çdo ditëlindje.

Por gama konfuze e sistemeve do të zhduket nga qershori 2023 – të paktën në dokumentet zyrtare – kur të hyjnë në fuqi ligjet e reja që përcaktojnë përdorimin e metodës ndërkombëtare të llogaritjes së moshës.

“Rishikimi synon të zvogëlojë kostot e panevojshme socio-ekonomike, sepse mosmarrëveshjet ligjore dhe sociale si dhe konfuzioni vazhdojnë për shkak të mënyrave të ndryshme të llogaritjes së moshës”, ka thënë Yoo Sang-bum nga partia në pushtet.

Jeong Da-eun, një punonjëse zyre 29-vjeçare, është e lumtur për ndryshimin.

Ajo ka treguar se i është dashur gjithmonë të mendojë dy herë kur është pyetur jashtë shtetit për moshën e saj.

“Mbaj mend që të huajt më shikonin me mëdyshje, sepse më duhej shumë kohë që të ktheja një përgjigje se sa vjeçe isha”, ka thënë ajo.

Për sa i përket origjinës ës sistemit, ajo është e paqartë.

Një teori është se të bëhesh një vjeç në lindje merr parasysh nëntë muajt në barkun e nënës. Të tjerët e lidhin me një sistem numerik të lashtë aziatik që nuk e kishte konceptin e zeros.

Kurse shpjegimet për vitin shtesë të shtuar më 1 janar janë më të ndërlikuara.

Disa ekspertë theksojnë teorinë se koreanët e lashtë e vendosën vitin e tyre të lindjes brenda ciklit kalendarik kinez 60-vjeçar.

Por në një kohë kur nuk kishte kalendarë të rregullt, prireshin të injoronin ditën e lindjes së tyre dhe thjesht shtonin një vit të tërë në ditën e parë të kalendarit hënor.

Dhe viti shtesë më 1 janar u bë i zakonshëm pasi më shumë koreano-jugorë filluan të vëzhgonin kalendarin perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore