Shqipëria

Korçë: Sekuestrohen 9 kilogramë kanabis, policia ndalon 10 persona


Autoritetet kanë finalizuar një operacion antidrogë në qytetin e Korçës të premten e 16 qershorit duke sekuestruar 9 kilogramë kanabis dhe 388 gramë kokainë.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit, duke cituar njoftimin për shtyp.

Operacioni u zhvillua në vazhdën e dy mega-operacioneve të mëparshme “Knock Down” të finalizuara 1 vit më parë.

Gjatë ditës së djeshme u proceduan penalisht 43 shtetas, nga të cilët 10 të ndaluar, 6 të arrestuar në flagrancë, 3 të shpallur në kërkim dhe 24 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Policia sekuestroi në total 9 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 388 gramë kokainë, një armë zjarri, municion luftarak, fidanë kanabis, llamba Led, nëntë automjete, gjashtë peshore elektronike, 28 celularë dhe shuma parash dhe eurosh, të përfituara nga veprimtaria kriminale.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas një hetimi pro-aktiv të thelluar 6-mujor, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe kultivimit të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Knock Down 3′”, njoftoi Policia.

Gjatë këtij operacioni, janë lëshuar 13 masa sigurie “Arrest në burg”, nga të cilat strukturat hetimore kanë ekzekutuar 10 masa ndalimi.

Konkretisht, autoritetet kanë ndaluar shtetasit: P. P., 31 vjeç; P. A., 19 vjeç; B. R., 46 vjeç; T. R., 38 vjeç; E. B., 36 vjeç, M. K., 29 vjeç; E. F., 26 vjeç; G. K., 40 vjeç; D. Xh., 39 vjeç dhe M. K., 23 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: E. K., 32 vjeç; M. D., 22 vjeç; E. N., 23 vjeç, banues në Korçë.

Policia po vijon punën operative-gjurmuese e proceduriale, për dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale në ngarkim të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore