Lajme

Konsulli i shkarkuar nga Gërvalla për Albanian Post: Kthimi im brenda ditës në Kosovë, ndodh vetëm në vendet komuniste


Ish-Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Hamburg të Gjermanisë, Gramos Begolli

Ish-Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Hamburg të Gjermanisë, Gramos Begolli, i shkarkuar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë për Albanian Post se kthimi i tij i menjëhershme në Kosovë ndodh vetëm në vendet komuniste.

“Kthimi i diplomatëve të akredituar në këtë mënyrë brenda ditës ndodh vetëm në vendet komuniste me udhëheqës autoritar, sepse unë kam familjen këtu bashkëshorten dhe fëmijët dhe nuk mund të kthehem nga Gjermania brenda ditës, kjo flet shumë për ministren Gërvalla”, tha Begolli.

Madje ai ka theksuar se nuk i janë paguar as biletat e udhëtimit, “as kthimi i gjësendeve personale sipas udhëzuesve dhe rregulloreve në fuqi edhe pse janë aprovuar nga sekretari i përgjithshëm”.

Begolli është shkarkuar vetëm një ditë pasi doli publikisht dhe kritikoi ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Vendimi i “lirimit nga detyra” është nënshkruar nga ministrja Gërvalla.

Donika Gërvalla

Sipas dokumentit, tashmë të publikuar dhe të nënshkruar nga Gërvalla, Begolli lirohet “në zbatim të Dekretit të Presidentes së Republikës së Kosovës”, vendim i marrë muajin e kaluar, por që e linte Konsullin në detyrë deri në fund të këtij muaji.

Në pikën dy të vendimit thuhet se “kthimi i Begollit në Republikën e Kosovës bëhet me datën 15 mars 2022”, pra menjëherë.

Gjithashtu, një nga pikat saktësonte se “vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”.

Në dokument nuk shkruan askund se cila ishte arsyeja e marrjes së këtij vendimi për kthim të menjëhershëm.

Çfarë tha Begolli që i kushtoi me “lirim nga detyra”?

Begolli, duke folur në emisionin Frontal, në Televizionin 7, kishte shpjeguar se si kishte pasur përplasje me ministren e Jashtme kur ajo, krejt papritur, ishte paraqitur në organizimin e festës së ditës së pavarësisë së Kosovës në Hamburg.

“Ka ndodhur një incident ose një përfaqësim jo i mirë, pasi në rastin e festës së pavarësisë ministrja Gërvalla ka ardhur pa paralajmërim në konsullatën e Kosovës në Hamburg”, tregon Begolli.

“Me rastin e vizitave të larta me një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Në bazë të rregulloreve është dashur që ne në konsullatë t’i njoftojmë autoritet gjermane dhe policinë që ta presin në aeroport ministren”.

“Zonja Gërvalla më ka shkruar një ditë përpara përmes platformës WhatsApp, që e konsiderojmë një formë jo zyrtare të komunikimit”.

Madje, siç ka treguar Begolli, numri që po i shkruante në emër të Gërvallës, “si fotografi profil kishte një kafshë”.

“Përkundër dashurisë që kam për kafshët, nuk e kam marrë shumë seriozisht shkrimin”, pohon tashmë ish-konsulli.

Begolli ka thënë edhe se ishte krijuar situatë shumë e pakëndshme kur Gërvalla kishte mbërritur në organizim.

Ajo kishte kërkuar që të ndryshoheshin shumë gjëra aty për aty dhe gjithashtu i kishte thënë Konsullit se ai nuk duhet të mbante fjalim, por dikush tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore