Lajme

Konjufca shpreh ngushëllime për dy ngjarjet tragjike në Serbi: Krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të të dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Serbi.

Konjufca, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave në këtë rast.

“Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd!”.

“Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë”, ka shkruar ai.

Kryetari i Kuvendit u uroi po ashtu shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.

Një person, i cili dyshohet se është organizatori dhe autori i një sulmi terrorist me tetë viktima dhe 13 të plagosur në një seri të shtënash në jug të Beogradit, është arrestuar pas ndjekjes nga Policia serbe, prej orësh të tëra.

Detaje ende nuk janë bërë me dije, por dyshohet se ai është një djalë 21-vjeçar, babai i të cilit mund të jetë ushtarak.

Kjo ngjarje vjen vetëm një ditë pas një tjetër sulmi masiv në një shkollë në Beograd, ku u shënua një bilanc tragjik me nëntë të vrarë në kryeqytet, mes të cilëve tetë fëmijë dhe një punonjës sigurimi.

Të shtënat filluan vonë të enjten pranë qytetit të Mlladenovacit kur një sulmues hapi zjarr me një armë automatike nga një automjet në lëvizje dhe më pas u largua, njoftoi televizioni shtetëror RTS.

Arrestohet i dyshuari për sulmin terrorist me 8 të vdekur në Serbi

Shtatë nga të plagosurit ndërkaq janë në gjendje kritike.

Para kësaj ngjarje më 3 maj në Beograd kishte ndodhur edhe një sulm në shkollë, ku një djalë 13 vjeç ishte futur në klasën e tij, ka nxjerrë armën dhe ka filluar të qëllojë, duke lënë disa të vdekur, teksa autori është arrestuar.

Ai dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

Kjo ngjarje vazhdon të jetë në hetime nga autoritetet e Serbisë.

Të paktën 9 të vdekur në Beograd pasi adoleshenti qëlloi me armë në shkollë, tetë fëmijë mes tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore