Lajme

Konjufca: Serbia ishte e vendosur për të shfarosur këdo që ishte shqiptar


Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka përkujtuar të rënët në Hallaq të Vogël të Lipjanit, si dhe ata në Rufc të Ri, ku ka thënë se Serbia gjenocidale ishte e vendosur për të shfarosur këdo që ishte shqiptar.

Këto komente, Konjufca i ka bërë në Facebook, ku ka theksuar se gjatë muajit prill të 1999-së masakrat e forcave pushtuese të Serbisë ndaj civilëve të pambrojtur shqiptarë, po shtoheshin gjithnjë e më shumë, po bëheshin gjithnjë e më makabre, brenda fushatës kriminale të gjenocidit ndaj popullit tonë.

“Lufta ishte e pabarabartë, me Serbinë gjenocidale të vendosur për të shfarosur këdo që ishte shqiptar, edhe pse ata ishin të paarmatosur, me të vetmen ëndërr për të jetuar të lirë e të pavarur në atdheun e vet”, shkroi Konufca.

Ai shtoi se Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri ka bërë homazhe për ta nderuar sakrificën e tyre.

“Të rënët janë ajo dhimbje e pakalueshme, duke na kujtuar se sa shumë u desh të sakrifikohet deri te ardhja e lirisë, të cilën e gëzojmë sot. E kemi për detyrë që të mos i harrojmë, që të bëjmë gjithçka mundemi për të vendosur drejtësi”, potencoi.

Kreu i kuvendit pohoi se “e kemi borxh ndaj tyre që të punojmë për zhvillim e përparim, sepse ashtu i japim kuptimin më dinjitoz sakrificës së tyre”.

“Lavdi të rënëve në Hallaq të Vogël dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për liri!”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore