Kosova

Konjufca: Sa të ketë komb shqiptar, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, në seancën solemne për nder të 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka thënë se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, “secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”, vendi ku ra heroikisht Familja Jashari, me në krye Komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Në fjalën e tij, Konjufca ka deklaruar se për kombet në botë më e rëndësishme është liria, por vjen “një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën”.

“Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti. Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjiteti. Jeta bëhet jo njerëzore, jetë e pajtueshme”, tha Konjufca.

Sakrifica madhështore e Jasharëve, pohoi kreu i kuvendit, “na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë”.

“Jasharët më në krye Ademin dhe Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët e tjerë, gra e burra, pleq e fëmijë u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës: liri a vdekje”.

“Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip rënia bëhet liri, e liria bëhet domosdoshmëri”, theksoi ai, duke shtuar se “Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve”.

“Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së, kurse ushtria e Kosovës e njësuar me popullin e çliroi atdheun tonë nga Serbia. Pavarësia jonë është rezultat i këtij procesi”, potencoi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën tingujt e këngëtarit Ilir Shaqiri me këngën “Sërish Vjen Marsi”, dhe këngtares Shkurte Fejza “Mora Fjalë”.

Kjo seancë ka nisur edhe me intonimin e himneve shtetërore [Kosovës] e kombëtare [shqiptar] dhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës.

Të pranishëm në këtë seancë janë edhe Rifat Jashari, nga familja heroike e Jasharëve dhe presidentja Vjosa Osmani.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore