Lajme

Konjufca kërkon nga ambasadori i Çekisë, përkrahje për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ambasadori i ri i Çekisë, Bohumil Mazanek.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me ambasadorin e ri të Çekisë, Bohumil Mazanek, me të cilin ka diskutuar për liberalizimin e vizave.

Përmes një komunikate të lëshuar nga institucioni i Kuvendit është thënë se Konjufca ka kërkuar përkrahjen ndaj Kosovës.

“Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e Çekisë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka thënë Konjufca.

Më 13 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të parë të Republikës Çeke në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Në këtë takim nga ambasadori i Çekisë, iu premtua Konjufcës se do të punojnë për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me Kosovën.

“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Mazanek vlerësuan raportet e mira dypalëshe dhe ritheksuan vullnetin për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke”.

Republika e Çekisë, pas 15 vjetësh nga njohja e pavarësisë së Kosovës, ka dërguar për herë të parë një ambasador në Kosovë, gjë që deri më tani ishte bllokuar nga dy presidentët e mëparshme të Çekisë Vaclav Klaus dhe Milos Zeman.

Deri më tani, Republika Çeke kishte vetëm të ngarkuar me punë në ambasadën në Prishtinë, sepse si Vaclav Klaus ashtu edhe Milos Zeman ishin kundërshtarë të ashpër të vendimit të qeverisë së kryeministrit të atëhershëm, Mirek Topolanek, për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Por me emërimin e Petr Pavel si president i Çekisë, Praga zyrtare pësoi një ndryshim drastik në kursin e Politikës së Jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore