Lajme

Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit të parë të Çekisë në Kosovë


Bohumil Mazanek dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të premte, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të parë të Republikës Çeke në Kosovë, Bohumil Mazanek.

“Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazanek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e  raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga ana e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Republika e Çekisë, pas 15 vjetësh nga njohja e pavarësisë së Kosovës, ka dërguar për herë të parë një ambasador në Kosovë, gjë që deri më tani ishte bllokuar nga dy presidentët e mëparshme të Çekisë Vaclav Klaus dhe Milos Zeman.

Deri më tani, Republika Çeke kishte vetëm të ngarkuar me punë në ambasadën në Prishtinë, sepse si Vaclav Klaus ashtu edhe Milos Zeman ishin kundërshtarë të ashpër të vendimit të qeverisë së kryeministrit të atëhershëm, Mirek Topolanek, për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Por me emërimin e Petr Pavel si president i Çekisë, Praga zyrtare pësoi një ndryshim drastik në kursin e Politikës së Jashtme.

Çekia për herë të parë emëron një ambasador në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore