Shqipëria

Kongresistët amerikanë, Departamentit të Shtetit: Urgjent, vëmendje të shtuar në Ballkanin Perëndimor


Dina Titus

Nevojitet vëmendje e shtuar në Ballkanin Perëndimor dhe atë në mënyrë urgjente, ka thënë Dina Titus, kongresiste amerikane e shtetit të Nevadas, prandaj edhe i ka dërguar një letër Departamentit Amerikan të Shtetit me kërkesa dhe pika konkrete.

Titus ka njoftuar në Twitter se letra është e përpiluar bashkë me kolegët e saj në Dhomën e Përfaqësuesve (parlamenti amerikan).

“Derisa bota po e përcjell Rusinë në pushtimin e paligjshëm të Ukrainës, është më e rëndësishme se kurrë për SHBA-të që ta thellojë angazhimin e vet në Ballkan”, thuhet në njoftimin e politikanes amerikane.

“Sot kam dërguar një letër, bashkë me kolegët, në Departamentin e Shtetit që të demonstroj gatishmërinë tonë në mbështetjen e vlerave demokratike”.

Titus ka publikuar edhe letrën e plotë, në të cilën, pos tjerash, thuhet se “demokracia e porsalindur në Serbi vazhdon të sfidohet nga një ndarje tejet e dobët e pushteteve, mos-balanci i përfaqësimit politik dhe medias polarizuese”.

Në letër përmendet edhe raporti i Kosovës e Serbisë.

“Për më tepër, mos-normalizimi i raporteve mes Serbisë e Kosovës e vë në rrezik stabilitetin rajonal dhe kërkon vëmendje të menjëhershme”.

Kongresistët amerikanë kritikojnë edhe qasjen apatike të BE-së.

“Hezitimi i disa anëtarëve të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj e ka rritur euro-skepticizmin në regjion dhe ka indikacione se disa qytetarë janë të gatshëm ta sakrifikojnë demokracinë për një ‘ndreqje të shpejt’ që ta përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike”.

Në fund të letrës janë renditur në pika konkrete edhe pritje e deputetëve amerikanë për Departamentin e Shtetit.

“Rritje e investimeve dhe integrim rajonal. Mbështetje më e madhe për anëtarësim në BE. Përkrahje e dialogut Kosovë – Serbi. Vëmendje e shtuar në Bosnje dhe Hercegovinë. Asistencë për demokratizim të regjionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore