Lajme

Koncept-dokumenti për Vetingun në drejtësi procedohet në Qeveri


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një konference për media ka për të ditur se dikasteri të cilën ajo e drejton ka proceduar në qeveri koncept dokumentin për zhvillimin e vetingut në drejtësi e cila sipas saj do të votohet në mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës.

Sipas Haxiut, vetingu do të filloj nga strukturat më të larta hierarkike në gjyqësor dhe prokurori për një afat optimal prej 5 vitesh.

“Koncept dokumenti përmban detaje se si duhet të zhvillohet procesi i vetingut në Këshillin Prokurorial dhe atë gjyqësor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në këto dikastere”, është shprehur Haxhiu.

Haxhiu ka treguar edhe cilat do të jenë shtyllat kryesore mbi të cilat është zhvilluar dhe kompletuar koncept dokumenti i vetingut.

“Verifikimi i integritetit personal të subjekteve të vetingut, vlerësimit profesional dhe të performancës si dhe kontrollit të pasurisë të tyre janë shtyllat kryesore mbi cilat do të zhvillohet ai”, ka shtuar ajo.

Sipas Ministres “koncept dokumenti është parë dhe i komentuar edhe nga ekspert të jashtëm ndërkombëtar të cilët kanë një përvojë të çmuar në fushën e vetingut”.

Ndërsa zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka shpalosur pesë opsione të koncept dokumentit me të cilat pritet të zhvillohet vetingu, duke bërë të ditur se opsioni i pestë pra zhvillimin e procesit duke zhvilluar mekanizma të jashtëm të vetingut dhe ndërtuar mekanizma të rijnë në kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, është parë si më e drejtë dhe më efikase për ta zhvilluar atë nga grupi punues e cila ka hartuar këtë koncept dokument.

“Opsioni i parë është opsioni i status-quo, opsioni i dytë adreson përmisimin e zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore, opsioni i tretë parasheh zhvillimin e vetingut përmes ndryshimeve ligjore, opsioni i katërt parasheh zhvillimin e vetingut përmes ndryshimeve kushtetuese duke krijuar mekanizma të jashtëm të përhershëm”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, opsioni i rekomanduar propozon themelimin e mekanizmit të vetingut si trup e jashtme dhe e pavarur e cila vlerëson nëse subjektet e kalojnë apo jo vetingun.

“Ky mekanizëm parashihet të ketë mandat të përkohshëm ashtu që të zhvilloj procesin e vetingut për të gjithë subjektet dhe të transformohet përshtatshmërisht pas përfundimit”, ka përfunduar ajo.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore