Lajme

Komuna e Prishtinës merr vendim të enjten për faljen e borxhit të tatimit në pronë


Ilustrim.

Komuna e Prishtinës, do të marrë vendim të enjten e 7 dhjetorit për çështjen e faljes së 100 eurove të tatimit në provë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati, e cila ka sqaruar se për këtë çështje do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal.

“Për faljen e borxhit të tatimit në pronë duhet të mirret vendim nga Kuvendi Komunal, rrjedhimisht kryeqyteti ka caktuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me datë 7.12.2023 ku pikë e rendit të ditës do të jetë vetëm propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023”, ka thënë Kastrati për AP.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, i ka njoftuar komunat se kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronë deri në vlerën prej 100 eurove.

Përmes një komunikate për media nga ministria është thënë se Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë Ministrisë për faljen e tatimit, prandaj ua ka lënë në dorë komunave për të vendosur.

“Pas publikimit të Aktgjykimit të AGJ 2296/23 më datë 23.11.2023 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar Komunat e Republikës së Kosovës për përmbajtjen e Aktgjykimit si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 €”.

“Si rrjedhojë, komunat e Republikës së Kosovës janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Gjykata Kushtetuese më 23 nëntor i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Financave për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro për vitin 2023, por ua ka lënë në dorë komunave veç e veç për të vendosur.

Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë vendim, “do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro”.

Ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për vitin 2023, sipas njoftimit, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Miliona euro humbje” – hallka e problemeve që solli kërkesa e pushtetit për falje të 100 eurove për tatim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore