Lajme

Komplikimet e shumta nëse Qeveria e ndryshon ligjin për lejimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja


Ushtarët e Ukrainës

Sipas Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë vendit në rast se kosovarët vendosin që të udhëtojnë për të marrë pjesë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, do të dënohen deri në 15 vite burgim.

Ndërsa edhe po të vendoste Kosova që ta ndryshonte këtë ligj komplikimet do të ishin të shumta.

Juristi Mentor Beqiri, konsideron që “ky veprim do të nënkuptonte se personat që deri më tani janë dënuar për këtë vepër penale dhe ata që janë duke u gjykuar, duhet të lirohen, përkatësisht të shpallen të pafajshëm”.

“Ky ligj ka parashikuar se do jetë në kompetencën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hetoj dhe ndjeke çdo person që participon në konflikte të armatosura jashtë territorit te vendit”, tha për Albanian Post Beqiri.

Ai shton se në mënyrë qe ky ligj të shfuqizohet, dhe persona nga Kosova të marrin pjesë në luftimet në Ukrainë, “duhet që Kuvendi i Kosovës ligjin në fjalë ta shfuqizoj me shumice prej 60 votash”.

Ndërkaq Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, mendon se as nuk duhet të ketë fare debat për këtë temë.

“Kuvendi i Kosovës e as Qeveria nuk duhet në asnjë rrethane të promovojnë idenë që shtetas të Kosovës të marrin pjesë në luftëra të huaja, kudo qofshin ato”, ka shkruar në Facebook Miftari.

“Nëse shteti dëshiron ti ndihmoj një shteti të caktuar për të qenë pjesë e aleancave të shteteve demokratike për të mbrojtur vlerat njerëzorë, le ta bëj në mënyrë institucionale, qoftë përmes ndihmës financiare apo humanitare sipas mundësive që ka në dispozicion”.

Megjithatë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë të mërkurën në T7 se në Kuvend do të diskutohet edhe për mundësinë e lejimit të shkuarjes së kosovarëve në luftën e Ukrainës, por me disa kushte.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të enjten e tre marsit e ku në rend dite do të jetë Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

“Pas dakordimit midis grupeve parlamentare, në seancën e nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës (3 mars 2022), e cila do të fillojë në orën 10:00, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”, thuhet në njoftim.

Pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore