Lajme

Komandanti i FSK-së dhe ai i KFOR-it flasin për rritje të bashkëpunimit


Bashkim Jashari dhe Ozkan Ulutas

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, këtë të mërkure ka takuar komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutas, me të cilin kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit.

Siç ka njoftuar FSK, fillimisht Jashari i ka uruar mirëseardhje gjeneral Ulutas-it dhe e ka uruar për detyrën e tij si komandant i KFOR-it, i cili e mori komandën në tetor të këtij viti.

Bëhet me dije se komandanti i FSK-së e ka njoftuar atë të KFOR-it për planet, angazhimet aktuale të FSK-së, dhe planet e zhvillimit në vijim.

Foto: FSK

Gjeneralët, thuhet aty, shkëmbyen diskutime edhe rreth zhvillimeve të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Ulutas, kanë konfirmuar gatishmërinë për vazhdim dhe rritje të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të FSK-së dhe KFOR-it, dhe u zotuan që kjo të jetë “në funksion të sigurisë dhe paqes në vend dhe me gjerë”.

Ndryshe, të martën e 10 tetorit, me një ceremoni zyrtare gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutas, e kishte marrë komandën njëvjeçare mbi misionin e KFOR-it nga gjeneralmajori italian, Michele Angelo Ristuccia.

Gjeneralmajori kishte ardhur në krye të kësaj pozite në një periudhë kur tensionet me Serbinë kishin shënuar rritje pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Përndryshe, kjo është hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore