Shqipëria

Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” çel fushatën e saj zgjedhore


Koalicioni i bashkuar opozitar “Bashkë Fitojmë” ka çelur zyrtarisht fushatën e saj zgjedhore të shtunën e 15 prillit në stadiumin “Air Albania”.

Nën moton “Ndryshimi në duart e tua”, fronti opozitar do të prezantojë në një podium të 61 kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Pjesë e këtij grupimi nën një logo zgjedhore është Partia Demokratike (jozyrtare) Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut.

Kujtojmë që më 11 dhjetor të vitit 2021 Komisioni i Rithemelimit pikërisht në këtë vendndodhje publikonte rezultatin përfundimtar të Referendumit duke e certifikuar atë.

Ky i fundit u iniciua nga ish-kryeministri, Sali Berisha, për të shkarkuar ish-liderin e selisë blu, Lulzim Basha.

Pak përpara fillimit të rrugëtimit të fushatës elektorale, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi mbërriti në stadium me një autobus për të manifestuar propozimin e tij kryesor për transportin publik falas në Tiranë.

Sipas tij, kjo e fundit do të ulë koston e jetesës, lehtësojë qarkullimin dhe do të pakësojë ndotjen.

Këlliçi propozon gjithashtu reduktimin e taksave dhe tarifave, që do të ndihmojnë biznesin e vogël dhe familjet.

Po ashtu, 7 milionë euro do shkojnë për prodhimet ‘Made in Tirana’.

Pjesë e angazhimit janë edhe 500 oaze të gjelbërta në Tiranë, ndërsa Lana do kthehet në një korridor të pastër dhe çlodhës.

Asnjë zonë në kryeqytet nuk do jetë pa çerdhe, kopshte dhe shkolla.

Së fundmi, Këlliçi ka propozuar edhe ndërtimin e një nënkalimi në sheshin Skënderbej për të përgjysmuar trafikun në Tiranë.

Këlliçi

I pari që hapi zyrtarisht fushatën është kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

“Bashkë do të punojmë duke ndjekur parimin e gjithë-përfshirjes, në respekt të çdo shqiptari që zgjedh të jetojë në Tiranë e që ka gjetur këtu miq, dashuri, mikpritje, punë dhe dije. Nga Shëngjergji në Kashar, nga Zall-Bastari në Vaqar, nga Kombinati në Kinostudio, nga Blloku në Baldushk, nga Myslym Shyri në Ali Dem, ne jemi kryeqyteti”, u shpreh fillimisht ai.

Fituesi i Primareve demokrate garantoi se kryeqytetasit do të jenë të barabartë në shërbime dhe investime.

“Bashki do të thotë ‘bashkësi’, dhe ne bashkë do t’i zgjidhim problemet që ka sot Tirana”, shtoi Këlliçi.

Një thirrje ai e pati edhe për banorët e Astirit dhe Unazës së Re.

“Ju prindër në Astir e Unazë të Re, tek Liqeni i Thatë apo tek Kodra e Priftit, nuk do të nxitoni më nëpër Tiranë për të çuar në kohë fëmijët tuaj në shkollë. Shkolla do të vijë te ju, qendra shëndetësore do të vijë te ju, shërbimet e bashkisë do të vijnë te ju”, vijoi kandidati demokrat për kryebashkiak.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës do të reflektojë traditën e mikpritjes, të gatishmërisë për të ndihmuar këdo që na troket në derë.

“Këtë ofroj unë, vërtetësi, mirësi, besnikëri , ndihmë, zgjidhje. Unë jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë, dhe a e dini pse? Sepse janë të gjitha të arritshme, 100% të realizueshme”, garantoi Këlliçi.

Ai theksoi gjithashtu se “financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht”.

“U them gjimnazistëve, studentëve, pensionistëve dhe të gjithëve ju që për të njëjtin shërbim mizerabël, jua rritën biletën në 40 lekë: Autobusi do të jetë pa pagesë! Kushton vetëm 6.8% të buxhetit të bashkisë. Taksat tona nuk do t’i marrin më bosat e inceneratorëve. Ju nuk do të mbani më me para ata që janë në kërkim nga drejtësia. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht!”, ravijëzoi Këlliçi.

Fondet elektorale

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpërndau më herët zyrtarisht fondet, përmes të cilave do të organizojnë fushatën elektorale partitë politike.

Jashtë, është lënë koalicioni i Berishës, i cili nuk është i regjistruar me një parti të mirëfilltë në zgjedhje, por në koalicionin e krijuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane dhe PBDNJ-në.

Ish-kryeministri sqaroi se fushata e koalicionit “Bashkë Fitojmë” do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj.

“Së shpejti do njoftojmë një rregullore për përballimin e fushatës”, njoftoi ai.

Sakaq, Partia e Lirisë ka përfituar një shumë prej 15 milionë e 577 mijë lekësh (rreth 150 mijë dollarë).

Partia Republikane ndjek me 11 milionë e 488 mijë lekë (rreth 110 mijë dollarë), ndërsa Partia Socialdemokrate me 12 milionë e 266 mijë lekë (rreth 120 mijë dollarë).

Fleta e votimit

Më herët, u hodh zyrtarisht shorti për renditjen në fletët e votimit sa i takon subjekteve politike.

Sipas shortit të hedhur nga KQZ-ja, do të jetë koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i cili do të mbajë numrin 1 në fletën e votimit.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste, do të ketë numrin 2, duke sjellë në kujtesë kështu fushatën elektorale për vitin 2017.

Partia Agrare Ambientaliste ndërkaq, e cila garon në të 61 bashkitë e vendit, do të mbajë numrin 3 në fletët e votimit për subjektet politike.

Partia Demokratike zyrtare, në bashkitë pjesëmarrëse në garën zgjedhore vendore, do të ketë numrin 9 në fletëvotim.

Numri 4 në fletëvotim, do të shkojë për Partinë Republikane, e cila garon vetëm për Këshillat Bashkiakë, por mbështet kandidatët e “Bashkë Fitojmë” si kandidat.

E radhitur e pesta do të jetë Lëvizja e Legalitetit, Demokracia Sociale e gjashta, Aleanca Liberale e Djathtë e shtata, Socialdemokratët të tetët, Aleanca Progresiste LZHK në numrin 10, Fryma e Re Demokratike e 11-a dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e 12-a në listë.

Fushatë jo, ofensivë po

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore