Kosova

KMDLNj: Kuvendi i Kosovës më përtaci në rajon


Kuvendi i Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut siç njihet ndryshe si KMDLNj, përmes një komunikate për media, ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për mos mbajtje të seancave për një periudhë kohore. Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se parlamenti kosovar ka hyrë në javën e tretë që kur nuk ka mbajtur asnjë seancë ndonëse ka pika të rendit të ditës të bartura edhe nga viti 2022.

Për KMLDNj-në tashmë është e qartë se nuk ka Kuvend më përtac në rajon e që ka përfitime më të mëdha, prandaj në reagim thuhet se KMLDNj nuk e ka të qartë pse deputetët dhe udhëheqja e Kuvendit duhet të kompensohen shtesë për punët që përfshihen në përshkrimin e vendit të punës.

“Në anën tjetër, me rregulloren e re të Kuvendit kemi përfitime të ndjeshme, që nga kryetari i Kuvendit i cili, përfiton thuaja 80% më shumë krahasuar me më parë. Linja e përfitimeve përfshinë edhe nënkryetarët, deputetët dhe të tjerët puna e të cilëve ndërlidhet me Kuvendin e Kosovës”.

Rritja e përfitimeve në vendet normale kryesisht kushtëzohet me rritje të punës dhe përgjegjësive si dhe  performancës që vlerësohet si e suksesshme ndërkaq, në rastin e Kuvendit të Kosovës kjo rritje është shkelje e standardeve minimale të moralit sepse kjo rritje është në kundërshtim të plotë me punën që e bëjnë përfituesit, të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm duke filluar nga kryetari i Kuvendit që po i prinë këtij shpërdorimi institucional, moral dhe material”, thuhet në njoftim

Tutje, në reagim thuhet se, në Kosovë pjesa e madhe e qytetarëve të saj po përballen me probleme të mëdha ekzistenciale prandaj një numër i madh i tyre po kërkojnë shpëtim përmes largimit nga vendi, numri i të cilëve kapë shifra alarmante.

“Kategoritë e margjinalizuara (pensionistët, përfituesit e ndihmave sociale, veteranët e luftës dhe kategoritë përfituese nga lufta) marrin kompensim simbolik apo kompensim social në kohën kur pikërisht këta e përbëjnë pjesën më të madhe të votuesve, deputetëve aktualë të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në vend se ta përfaqësojnë vullnetin e votuesve, e shpërdorin besimin që iu është dhënë.

Ndryshe një ditë më parë ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për shkak se nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për caktimin e seancës së re plenare që parashihej të mbahej këtë të enjte.

Në një konferencë për media, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se bllokimi i punës së legjislativit nuk është duke ndodhur për fajin e opozitës, por për fajin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahri, përgjegjëse për bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës e ka lënë ekzekutivin kosovar në krye me Albin Kurtin, duke thënë se “s’po i bën përshtypje fare” që agjenda parlamentare është e bllokuar.

“Atyre nuk iu ecë asnjë projekt as në çështjet e arsimit, as në sundimin e ligjit, as në shëndetësi ekonomia në buzë të kolapsit, me një inflacion jashtëzakonisht të madh, me paga që nuk ia arrijnë të dalin për një muaj për qytetarin e Kosovës”, tha ai.

“Kemi një bllokadë jashtëzakonisht të madhe që nuk po iu bëhet vonë fare. Me një kryeministër që do të ishte efektiv, bllokimi i punës së kuvendit do të shkaktonte probleme të mëdha, këtij nuk po i shkakton probleme sepse nuk është duke qeverisur”, shtoi Tahiri.

Ky problem vazhdimisht e ka shoqëruar punën parlamentare, mirëpo rritja e seancave që dështojnë për shkakun e mungesës se kuorumit është shqetësuese, posaçërisht duke marrë parasysh ngarkesën që kjo praktikë i shkakton agjendës parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore