Kosova

KMDLNJ kërkon leje për të vizituar shqiptarët e arrestuar në Serbi: Mungojnë informacione për trajtimin e tyre


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar që dy shqiptarët e fundit që janë arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdarë, të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut.

KMDLNJ, përmes një komunikate për media ka thënë po u mungojnë informatat për trajtimin e tyre.

“Qytetarët shqiptarë që po arrestohen nuk kanë asnjë mundësi të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut, as nga Kosova e as nga Serbia andaj mungojnë informatat për trajtimin e tyre dhe realizimin e të drejtave të njeriut, si persona të privuar nga liria.  Gjithashtu, kanë probleme për sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore”.

“Në anën tjetër, shtetasit e Serbisë që mbahen në qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese vizitohen pa asnjë pengesë nga autoritetet kosovare dhe trajtimi i tyre është 100% në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për persona të privuar nga liria”, është thënë nga KMDLNJ.

Sipas tyre, duhet të krijohet një mundësi që ata të takohen nga monitoruesit e pavarur.

“Duhet të krijohet një mundësi që shtetasit kosovarë që aktualisht janë në burgjet e Serbisë të vizitohen nga monitorues të pavarur sikur që edhe shtetasit e Serbisë që mbahen në burgjet e Kosovës, gjithashtu të vizitohen nga monitorues të pavarur”.

“Në të kundërtën gjithmonë do të krijohet një mundësi dhe hapësirë për spekulime nga pozita e përfitimit politik”.

Më 1 qershor, autoritet e Serbisë kanë arrestuar një shqiptar të Kosovës në pikën kufitare në Merdarë, duke pretenduar se i njëjti dyshohet për “krime lufte”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se Tefik Mustafa, është arrestuar për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në komunikatën e lëshuar nga MPB-ja serbe, pretendohej se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviç, Zhivojin Paviç dhe Predrag Millosheviç, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

Lidhur me këtë rast nuk ka pasur ende asnjë reagim nga institucionet e Kosovës.

Ky nuk është rasti i vetëm kur Serbia arreston qytetarë të Kosovës, duke i akuzuar ata për krime të pretenduara lufte.

Jo më larg se më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin Sadik Duraku, nën dyshimet “për krime lufte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore