Lajme

Klinaku, Kusari-Lilës: S’ka dialog me qeverinë derisa të vendosë Gjykata Kushtetuese


Faton Klinaku

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, në një paraqitje televizive për transmetuesin “Dukagjini”, ka thënë se veteranët nuk kanë çfarë të flasin me Qeverinë e Kosovës, derisa të kthehet vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me pagën minimale.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka thënë se duhet “dialog mes veteranëve dhe qeverisë” sa i përket pagës minimale, por Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL-UCK-së ka deklaruar se i kanë “shkëputur gjërat” me ekzekutivin kosovar.

“Jemi kategori ligjore, s’mund të bëjnë ndryshime pa ne. Nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me ne – organizatat e dala nga lufta – nuk mund të bëjnë ndryshime pa pajtueshmërinë tonë, ne i përfaqësojmë këto kategori”, ka deklaruar Klinaku, ndërsa ka shtuar se s’do të bëjnë asnjë hap derisa të vendosë Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës e ka kontestuar seancën e 13 korrikut të këtij – në të cilën është miratuar projektligji që i lë veteranët jashtë pagës minimale – në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar komplet ligjin për pagën minimale në kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore