Lajme

Kirurget ngacmohen seksualisht gjatë operacioneve nga kolegët e tyre


Kirurget femra janë duke u ngacmuar seksualisht, sulmuar dhe në disa raste përdhunuar nga kolegët e tyre.

Të paktën kështu ka zbuluar një analizë e stafit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar anglez (NHS).

Autorët e studimit kanë thënë se ekziston një model i praktikanteve femra që abuzohen nga kirurgë të lartë meshkuj, dhe kjo po ndodh tani në spitalet angleze.

Kolegji Mbretëror i Kirurgëve ka thënë se gjetjet ishin “me të vërtetë tronditëse”.

Ngacmimet seksuale, sulmet seksuale dhe përdhunimet janë referuar si sekreti i hapur i operacionit.

Ekziston një histori e pa treguar e grave që ngacmohen nga kolegët e tyre meshkuj, të cilët shfaqin sjellje të pahijshme në prani të tyre.

Gati dy të tretat e grave kirurge që iu përgjigjën studiuesve kanë thënë se kishin qenë objektiv i ngacmimeve seksuale dhe një e treta ishte sulmuar seksualisht nga kolegët në pesë vitet e fundit.

Po ashtu ato kanë treguar se kanë frikë se raportimi i incidenteve do të dëmtojë karrierën e tyre dhe nuk kanë besim se NHS do të ndërmarrë veprime.

Ato kanë mungesë besimi në organe të tilla si NHS Trusts, Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor dhe Kolegjet Mbretërore për të trajtuar problem.

“Ne kemi nevojë për një ndryshim të madh në proceset e hetimit, në mënyrë që ato të bëhen të jashtme dhe të pavarura, në mënyrë që kujdesi shëndetësor të bëhet një vend më i sigurt për të punuar”.

Tim Mitchell, presidenti i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve të Anglisë, ka thënë se gjetjet e sondazhit janë “thellësisht tronditëse dhe do të jenë një burim i madh turpi për profesionin e kirurgëve”.

Ai ka pranuar se është “e qartë se është një problem i zakonshëm” që nuk është adresuar.

“Ne duhet të vendosim një kulturë të tolerancës zero për të siguruar që ka mekanizma që nënkuptojnë se njerëzit e prekur ndihen të sigurt se mund të dalin përpara, të raportojnë këto incidente dhe se ato do të merren seriozisht”, ka shtuar ai.

Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor muajin e kaluar përditësoi standardet e tij profesionale për mjekët.

Shefi ekzekutiv Charlie Massey ka thënë se “veprimet në mënyrë seksuale ndaj pacientëve ose kolegëve janë të papranueshme”.

Dhe se “sjellja e keqe serioze është e papajtueshme” me vazhdimin e praktikës së mjekësisë në vend.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore