Lajme

Kina ndryshon rolet në tregtinë e armëve me Rusinë


Rusia, për gati 30 vjet, ka mundësuar rritjen e Kinës si një fuqi ushtarake.

Me një mesatare prej 1.5 miliardë dollarë në vit, prodhuesit rusë të armëve e kanë furnizuar Ushtrinë Çlirimtare Popullore me raketa, helikopterë dhe avionë luftarakë të avancuar.

Tanimë ndihma po kthehet. Rusia ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Kina për të mbajtur pushtimin në Ukrainë.

Nga inteligjenca amerikane mësohet se Rusia ka kërkuar furnizime, si: raketa, dronë, pajisje të lidhura me inteligjencën dhe automjete të blinduara.

Lista, referuar ekspertëve, tregon për një ushtri që ka nevojë urgjente për mbështetje bazë.

“Kamionët janë diçka që Rusia i prodhon. Nëse ata i kërkojnë ata, kjo tregon se në çfarë gjendje të keqe janë forcat e tyre të armatosura”, ka thënë specialisti Siemon Wezeman.

Megjithatë, të dyja qeveritë kanë mohuar se Moska ka bërë një kërkesë për ndihmë kineze me pajisje ushtarake për luftën në Ukrainë.

Sakaq, kjo mbështetje do të shënonte një ndryshim roli në marrëdhënien afatgjatë të tregtisë së mbrojtjes të Kinës me Rusinë.

Një nga analistët ka thënë madje se do të theksonte një ndryshim më të gjerë në dinamikën dypalëshe të fuqisë.

Qartazi, me këtë Rusia po e tejkalon varësinë e saj tradicionale për furnizime me armë të avancuara.

Gjatë dy dekadave të fundit, Kina ka prodhuar gjithnjë e më shumë produkte mbrojtëse nën licencën që e ka blerë historikisht nga Rusia.

Marrëveshje të tilla licencimi e kanë ndihmuar Kinën të zhvillojë aftësinë për të ndërtuar infrastrukturën e vet në vend që të mbështetej te furnizuesit rusë.

Kohët e fundit, ajo ka dërguar disa komponentë armësh në Rusi.

Dhe nëse përmbush kërkesat e fundit të Rusisë për pajisje, do të ishte hera e parë që Kina i furnizon Rusisë armë si ndihmë ushtarake, por jo e para si “pjesë e bashkëpunimit normal ushtarako-teknik”.

Të paktën kështu ka thënë eksperti Alexander Korolev.

Një tjetër ekspert, Vassily Kashin, ka treguar se Kina ka eksportuar një grup të automjeteve për drejtimin e personelit komandues, si dhe komponentët e dronëve dhe motorët detarë.

Një kompani kineze që tregton motorë me naftë, nëpërmjet një njoftimi në internet, ka sugjeruar se dërgesa të tilla kanë nisur që në vitin 2017.

Megjithatë, për ekspertët nuk ka gjasa që qeveria ruse të lejojë që vendi të rritet i varur nga furnizimet me armë kineze.

“Rusia ka qenë shumë e përqendruar në të qenit e pavarur për armë dhe ka një rezistencë thuajse kulturore për trajtimin e Kinës si të barabartë”, ka thënë Wezeman.

“Ata do të duhet të kapërcejnë krenarinë e tyre”, ka vijuar ai.

Rusia, në të kaluarën, siguronte disa komponentë për sistemet e saj të armëve në Evropë.

Por Moska u përpoq të eliminonte çdo mbështetje nga furnizuesit e huaj nga kompleksi i saj ushtarak-industrial, pasi u vu në shënjestër nga sanksionet perëndimore në vitin 2014 për aneksimin e Krimesë dhe nxitjen e një lufte separatiste në lindje të Ukrainës.

Gjatë së njëjtës periudhë, bashkëpunimi me Kinën për sistemet ushtarake nisi të shtohej.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore