Lajme

Kina mohon testimin e raketës hipersonike me aftësi bërthamore


Kjo fotografi e siguruar nga qeveria e Koresë së Veriut tregon një raketë hipersonike e lëshuar nga Toyang-ri, Ryongrim County, Jagang Province, Korea Veriore, e martë, 28 shtator 2021.

Kina ka mohuar raportet se ka testuar një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në fillim të këtij viti, duke këmbëngulur se ishte një kontroll rutinë i anijeve kozmike.

Raporti fillestar në gazetën Financial Times shkaktoi shqetësim në Uashington, ku inteligjenca amerikane thuhet se u kap në befasi.

Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta dhe më të shkathëta se ato normale, që do të thotë se janë më të vështira për t’u kapur.

Shqetësimi për aftësitë bërthamore të Kinës sa vjen dhe rritet.

Të hënën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha në një konferencë për mediat se një test rutinë ishte kryer në korrik për të verifikuar lloje të ndryshme të teknologjisë së anijeve kozmike të ripërdorshme.

“Kjo nuk ishte një raketë, por një anije kozmike”, tha ai duke shtuar se, “ka një rëndësi të madhe për uljen e kostos së përdorimit të anijeve kozmike”.

Raketa

Sipas Zhao-s shumë vende kishin kryer teste të ngjashme në të kaluarën. Kur u pyet nëse raporti i Financial Times ishte i pasaktë, ai u përgjigj “po”.

Raporti i së shtunës citoi pesë burime anonime të cilët thanë se një raketë hipersonike ishte lëshuar në verë. Ai fluturoi përmes hapësirës me orbitë të ulët para se të lundronte poshtë dhe të humbiste ngushtë objektivin e tij.

Një anëtar i lartë i Kongresit më vonë tha se testi i dukshëm duhet të shërbejë si një thirrje për veprim për Amerikën.

Mike Gallagher, një anëtar republikan i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nëse Uashingtoni do t’i përmbahej qasjes aktuale, do të humbte një Luftë të Ftohtë të re me Kinën brenda një dekade.

Marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Kinës janë të tensionuara – me Pekinin që akuzon administratën e Presidentit Joe Biden si armiqësor.

Një numër i vendeve perëndimore gjithashtu kanë shprehur shqetësim për shfaqjet e fundit të Kinës të fuqisë ushtarake.

Kjo foto e marrë më 14 janar 2021 dhe e lëshuar nga Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane e Veriut (KCNA) më 15 janar tregon atë që duket të jetë raketa balistike e lëshuar nga nëndetëse gjatë një parade ushtarake që feston Kongresin e 8-të të Partisë së Punëtorëve të Koresë.

Michael Shoebridge, drejtor i mbrojtjes, strategjisë dhe sigurisë kombëtare në Institutin e Politikave Strategjike Australiane, tha se nëse një raketë hipersonike do të ishte testuar do të përshtatej me një “model të përshkallëzimit në armët bërthamore dhe goditjet e tjera”.

Kina shfaqi atë që dukej se ishte një platformë raketash hipersonike në një shfaqje të fundit ushtarake.

Së bashku me Kinën, SHBA-të, Rusia dhe të paktën pesë vende të tjera po punojnë në teknologjinë e raketave hipersonike.

Ata mund të fluturojnë me më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit dhe, ashtu si raketat balistike, mund të dërgojnë një kokë bërthamore.

Muajin e kaluar, Koreja e Veriut tha se kishte testuar me sukses një raketë të re hipersonike. Dhe në korrik, Rusia bëri një njoftim të ngjashëm dhe tha se raketa e saj ishte lëshuar nga një fregatë në Detin e Bardhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore