Shqipëria

Kim dhe Soreca takohen me Celibashin: Keni mbështetjen tonë për rolin kritik të KQZ-së


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, së bashku me atë të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, pasditen e 3 marsit kanë zhvilluar një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ky takim ka ardhur për të treguar mbështetjen përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, për rolin kritik të KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kim nënvizoi mbështetjen e SHBA-ve për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime, apo nxitje të panevojshme.

Ajo nxiti KQZ-në që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshirë verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.

Gjithashtu Kim vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirantë për në BE.

“Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të palëkundura të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë për një demokraci më të fortë dhe një të ardhme më të begatë”, përmbyllet mesazhi i Kim-it.

Gjashtë do të jenë bashkitë ku do të garohet për marrjen e kreut: Shkodra, Durrësi, Lushnja, Rrogozhina, Dibra dhe Vora.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore