Kosova

KFOR-i është gati për çdo sfidë, thotë komandanti italian


Ilustrim

Guglielmino Esercito, komandanti përgjegjës i njësisë italiane të Forcës së NATO-s në Kosovës (KFOR), ka thënë se misioni paqeruajtës i KFOR-it është i pajisur mirë dhe gati për çdo sfidë operacionale, në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve “Anadolou” të enjten, ai ka folur për patrullimin e trupave italiane përgjatë kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, krahas ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar, pas tensioneve të shtuara në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe. Ushtarët e KFOR-it patrullojnë edhenë liqenin e Ujmanit.

“Ne jemi të pajisur mirë dhe të trajnuar, kështu që fleksibiliteti ynë mund të na lejojë të përballemi me të gjitha llojet e sfidave në fushën e operacionit, kështu që KFOR-i është i gatshëm të përballet me të gjitha llojet e sfidave”, ka thënë Esercito, duke iu referuar katërfishimit të pranisë e KFOR-it në veri dhe trefishimit të numrit të patrullave përgjatë brezit kufitar.

NATO ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1000 ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash dhe Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.

Turqia ka dislokuar një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë, kurse për vitin 2023 dhe 2024, ekzekutivi kroat ka miratuar pjesëmarrjen e deri në 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (OSRH) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore