Shqipëria

Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian mblidhet për procesin “screening”


Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian është mbledhur të mërkurën e 19 korrikut për procesin “screening” me Bashkimin Evropian.

Kjo tryezë është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit, me qëllim nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, deklaroi gjatë fjalës së saj se duhet më shumë mbështetje për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Kjo, duke theksuar se Komisioni Evropian ka gati një tjetër paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Brenda BE ne kemi fonde strukturore për vendet e BE-së. Von der Leyen ka propozuar paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik. Kjo është një shtytje që duhet t’i japim. Kjo mbështetje lidhet me kushte sepse nëse t’i do të marrësh fonde të BE-së duhet të plotësosh disa kushte”, shtoi diplomatja gjermane.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh se parlamenti duhet të fillojë reformat, pasi prej vitit 2016 e më pas kur u miratua reforma në drejtësi nuk ka asnjë reformë tjetër.

“Duke qenë se reforma në drejtesi është e vetmja reformë e miratuar në mënyrë unanime, duhet që politika t’i mbështesë këto institucione të drejtësisë pasi luajnë një rol të veçantë. Në këto kohë të vështira kur politika, njerëzit i kanë sytë nga ju, ne presim shumë dhe se ju të ecni me axhendën që kur Parlamenti ju dha besimin. Komisioni Europian ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të vështirë, për të ruajtur një balancë në politike dhe hapësirës për t’i dhënë Këshillit Kombëtar për integrimin Evropian”, ravijëzoi Tabaku.

Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka garantoi se autoritetet janë pritje të organizmit të konferencës së radhës ndërqeveritare.

“Jemi në pritje për organizimin e konferencës së radhës ndërqeveritare për hapjen e grupimit të kapitujve themelorë të negocimit, pas miratimit nga Këshilli të Raportit Screening të Komisionit, me synimin që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti”, tha kryediplomatja.

Sipas saj, avancimi me procesin e anëtarësimit është me rëndësi jetike për vendin tonë sepse për anëtarësimin në BE jemi të vendosur në unitet si komb e shoqëri, sepse anëtarësimi është një faktor përcaktues në suksesin e vendit përmes reformave të gjithanshme e në gjitha fushat.

“Shqipëria do të vijojë të mbetet plotësisht e angazhuar me Bashkimin Evropian. Samiti BE-Ballkani Perëndimor i Tiranës, i organizuar për herë të parë në një vend të rajonit, është një arritje që shënon interesin strategjik të rajonit, por edhe një njohje të rolit proaktiv të Shqipërisë”, nënvizoi Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore