Lajme

Kërcënimet ndaj mediave, OSBE, Dodik-ut: Autoritetet duhet t’i mbrojnë, jo t’i kërcënojnë gazetarët


Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Bosnje e Hercegovinë, Brian Aggeler, kanë dënuar kërcënimet e fundit, të hapura, dhe të drejtpërdrejta e të vazhdueshme të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, ndaj mediave “N1”, “Capital”, “BN TV” dhe revistës “Zhurma”.

“Deklarata të tilla ekstreme dhe nxitëse, veçanërisht kur bëhen nga liderë politikë, kanë potencialin të krijojnë një atmosferë armiqësie dhe madje të nxisin dhunën. Rastet e mëparshme të retorikës së ngjashme çuan në sulme ndaj gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut nga grupe huliganësh, me reagime çuditërisht të dobëta dhe të pamjaftueshme nga autoritetet e zbatimit të ligjit, të cilët nuk arritën të gjenin dhe të ndiqnin penalisht autorët dhe të mbronin qytetarët nga dhuna”, tha Aggeler, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Lidhur me këtë, Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias kujtoi Vendimin e Këshillit Ministror të OSBE-së për sigurinë e gazetarëve nga viti 2018, i miratuar me konsensus të të gjitha vendeve anëtare të OSBE-së, përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Në këtë vendim, ata “u bëjnë thirrje liderëve politikë, zyrtarëve publikë dhe autoriteteve që të përmbahen nga kërcënimet, kërcënimet apo falja dhe të dënojnë pa mëdyshje dhunën ndaj gazetarëve, të gjitha me synimin për të reduktuar rreziqet apo kërcënimet me të cilat mund të përballen gazetarët dhe për të shmangur cenimin e besimit në besueshmërinë e gazetarëve, si dhe respektin për rëndësinë e gazetarisë së pavarur”.

“OSBE-ja dënon fuqishëm çdo formë dhune apo ngacmimi të gazetarëve dhe thekson rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë dhe të drejtave të tyre, duke përfshirë sigurinë e tyre fizike, sigurinë e lokaleve dhe shtëpive të tyre, dhe dënon paditë strategjike të iniciuara nga zyrtarët publikë kundër mediave”.

Ndërkaq, Ribeiro dhe Aggeler theksuan se presin që autoritetet në RS të respektojnë detyrimin e tyre për të siguruar mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të RS-së përfshirë gazetarët, “nga pasojat e mundshme të një fjalimi të tillë nxitës”.

“Mediat e lira dhe të pavarura janë gurthemeli i çdo shoqërie demokratike dhe OSBE-ja thekson rëndësinë e nxitjes së një mjedisi në të cilin gazetarët dhe organizatat e medias mund të veprojnë pa frikë nga hakmarrja”.

Ndryshe, synimi i deklaruar i Dodik-ut për të ngritur padi kundër këtyre mediave për gjoja “destabilizimin” e RS-së dhe minimin e pozitës së tij në pushtet, së bashku me pretendimet e tij se ata supozohet se marrin fonde ndërkombëtare për këtë qëllim, nga shumë zëra racional brenda dhe jashtë BeH janë parë si një përpjekje për të heshtur dhe për të denigruar gazetarët.

Më 20 korrik, Asambleja Parlamentare e RS-së kishte miratuar ligjin që kriminalizonte shpifjen, e cila ishte kundërshtuar ashpër nga ambasada e ShBA-së, por edhe e vendeve të tjera perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore