Lajme

KEK: Ndërpritet njësia B-1 për shkaqe teknike


Ilustrim.

Korporata Energjetike e Kosovës, ka bërë të ditur se për disa arsyeje teknike njësia B-1 ka ndërprerë prodhimin.

Këtë njoftim KEK e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se për shkaqe teknike njësia B-1 për një kohë të shkurt ka ndërprerë prodhimin dhe e njëjta tashmë është kthyer në operim”.

“Në këto çaste kjo njësi është duke prodhuar mbi 210 MW/h dhe pas pak do të arrij kapacitetin optimal prej rreth 260 MW/h”.

Gjithashtu, Korporata Energjetike e Kosovës kishte njoftuar se këtë të diele rreth orës 10:00, në kaldajë të njësisë prodhuese A-3 janë shfaqur rrjedhje të ujit dhe si pasojë është pamundësuar mbajtja e kësaj njësie në operim.

Por, sipas njoftimit, ekspertët e KEK-ut janë duke dhënë maksimumin për ri kthimin e njësisë në operim në kohë optimale.

“Aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së  njësisë në mënyrë intensive, pastaj do të bëhet inspektimi i cili pason me sanimin e rrjedhjes në kaldajë dhe përgatitjet për kthimin e kësaj njësie në operim”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Më herët, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike njoftoi se është përkeqësuar situata e furnizimit me energji elektrike nga rënia e njësisë A3.

“KOSTT-i ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Sipas KEDS, në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, “për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”.

“Aktualisht kufizimet janë dy-orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë efiçiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër”.

KEDS-i ka njoftuar se në këto rrethana të vështira, “duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që ti kapërcejmë ato sa më lehtë. Së bashku mund t’ia dalim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore