Lajme

Kearns, Borrellit dhe Von der Leyenit: Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës


Deputetja britanike Alicia Kearns

“Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës”.

Kështu ka shkruar në platformën X, deputetja britanike Alicia Kearns, që është shefe e Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin britanik.

“Sërish Kosova punon me komunitetin ndërkombëtarë, përkundër sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi. Sërish Vuçiçi refuzon. Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës, Josep Borrell e Ursula von Der Leyen”, ka shkruar Kearns.

 

Deputetja britanike ka reaguar pas intervistës që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për TV Prva këtë të diele.

Vuçiç ka theksuar se “jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes de facto dhe de jure”.

“Unë thashë se jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona, por nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin në OKB. E kam thënë edhe në Ohër”, tha Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që kishte pasur me liderët evropianë në Bruksel, pati thënë se përkundër që Kosova e pranoi edhe draftin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia po refuzon që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, për të cilën ka thënë se duhet të zbatohet “në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte”.

Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë pasur gatishmëri për t’u pajtuar për “planin e ri” të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke parashtruar kushte për njëri-tjetrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore