Kosova

Kearns, BE-së: S’keni qasje të balancuar kur bëhet fjalë për Serbinë


Deputetja britanike, Alicia Kearns.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka refuzuar të komentojë paralajmërimet e Serbisë për formimin e një ekipi që do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropian.

Kearns, ka thënë përmes një shkrimi në platformën ‘X’ se një qasje e pa balancuar është vazhdimisht nga BE-ja.

“Vazhdimisht, BE-ja nuk ka qasje të balancuar kur bëhet fjalë për Serbinë”, ka shkruar ajo.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke thënë se kur BE-së nuk i konvenon refuzon të përgjigjet në pyetje.

“Kur Serbia shkel në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet, BE-ja preferon të mos hyjë në detaje dhe të përmbahet nga komentet e mëtejme. Por kur bëhet fjalë për Kosovën, ato mund të jenë po aq specifike sa komentimi i një vendimi për shpronësim të tokës, dhe që të vihet me gisht. Pse?”, ka shkruar ministri Krasniqi në ‘X’ të premten.

Stano, ka hezituar të thotë se një sjellje e tillë e Beogradit shkel njërin prej neneve të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë ka thënë dhe çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiç. Unë mund të përsëris se bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa tjera të nisin të implementojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe”, tha Stano në një konferencë për media.

Ai ka ripërsëritur faktin se do të ketë pasoja serioze si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë nëse të njëjtit refuzojnë të zbatojnë Marrëveshjen Bazë.

Më 20 tetor, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, kishte qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore