Lajme

KDTP: Do të votojmë kundër ndryshimit të Kodit Civil që lejon martesat e gjinisë së njëjtë


Kuvendi i Kosovës

Partia turke KDTP ka njoftuar se të enjten e 23 shkurtit në seancën parlamentare në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet për ndryshimin e Kodit Civil ku lejohen martesat brenda së njëjtës gjini, do të votojnë kundër.

“Qëndrimi i Partisë sonë lidhur me këtë nen do të jetë që ky nen të mos njihet ligjërisht me arsyetimin se është një opinion kundër vlerave të shenjta dhe fetare të shoqërisë sonë dhe nuk i përket vlerave, kulturës, traditave dhe zakoneve tona familjare”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

“Si parti, me respekt i deklarojmë opinionit publik se ligji për këtë çështje nuk do të mbështetet dhe deputetët tanë do ta votojnë kundër”.

Aktivisti për të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë, Lend Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk ka shtet që ua ndalon atyre dashurinë.

Lend Mustafa

“Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë”, ka shkruar shkurt ai, kështu duke kundërshtuar zërat kritik të cilët janë kundër ndryshimit të Kodit Civil e cila parasheh martesën e personave të së njëjtës gjini.

Ndryshe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se nuk do të përkrah ndryshimin e Kodit Civil me anë të së cilit personat e së njëjtës gjini do të mund të martoheshin.

Përveç partive politike e deputetëve, kundër lejimit të martesës të së njëjtës gjini kanë dalë edhe katër komunitetet fetare shqiptare të Kosovës, të cilët njëzëri kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë projektligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore