Lajme

KDI: Status quo-ja e Kosovës për dialogun, e dëmshme


Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, anëtari i PDK, Bernard Nikaj

Vazhdimi i status quo-së në dialogun Kosovë-Serbi është i dëmshëm për Kosovën. Mungesa e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po e pengon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

Këto ishin disa vlerësime të cilat u diskutuan në një konferncë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me temën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”.

Pavarësisht kësaj, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se arritja e një marrëveshje me njohje reciproke, në kufijtë aktual nuk varet vetëm prej Kosovës.

“Qasja është që të arrijmë një njohje reciproke me Serbinë, ku ruhet tërësia territoriale. Suksesi i dialogut nuk varet vetëm prej Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjeki, ka thënë se dialogu duhet të sjell njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

“Dialogun e shohim të nevojshëm për të sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Dialogu duhet të sjell një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kufijtë aktual dhe duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit”, tha Mjekiqi.

Ajo më tej ka potencuar se status quo-ja nuk është e mirë për Kosovën, duke shtuar se “nuk kemi liberalizim të vizave, mungesa e marrëveshjes finale po pengon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

Ndërkaq, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka treguar se dialogu deri tani ka qenë pjesë e pandashme e rrugës sonë drejtë BE-së.

“Politika jonë e jashtme gjithmonë ka qenë e ndërlidhur me dialogun me Serbinë. Sot ne jemi në një moment kur duhet të definojmë një konsenus se cila është objektiva jonë në dialog dhe ka po shkon ky proces”, ka thënë Nikaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore