Lajme

KDI kërkon nga Qeveria ta ridraftojë Projektligjin për Byronë


Instituti Demokratik i Kosovës.

Për shkak të mungesës së kuorumit projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme nuk arriti të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), diskutimet pozitë-opozitë shpërfaqën mungesën e një konsensusi politik për ta shtyrë përpara një çështje kaq të ndjeshme, siç është konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.

Tutje nga KDI është thënë se në parim e vlerëson si të duhur dhe të nevojshëm krijimin e një mekanizimi të konfiskimit civil të pasurisë, mirëpo konsideron që Projektligji në fjalë nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut.

KDI, konsideron se nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias.

“Megjithatë, konsiderojmë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë projektligj”.

“Duhet theksuar po ashtu që Komisioni i Venecias ka evidentuar mangësi dhe probleme në pjesën më të madhe të këtij projektligji, adresimi i së cilave nënkupton ndryshim esencial të përmbajtjes së tij”, thuhet tutje në komunikatën e KDI-së.

KDI, ka kërkuar që Qeveria ta rikthejë në pikën zero, duke e tërhequr atë fillimisht nga Kuvendi.

“Tutje, Ministria e Drejtësisë duhet të themelojë një grup punues të ri dhe gjithëpërfshirës për këtë projektligj, duke u siguruar që secili prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias të reflektohet në draftin e ri”.

Ndryshe, opozita është deklaruar të enjten kundër Projektligjit për Byronë, duke e quajtur iniciativë joserioze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore