Lajme

KBH-ja: Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, si propaganda naziste


Kongresi Botëror Hebraik (KBH) ka dalë me një deklaratë zyrtare duke thënë se mohimi i gjenocidit në Srebrenicë i përafron propagandës naziste.

Në komunikimin e të enjtes së 29 korrikut, Menachem Rosensaft i KBH-së, paralajmëroi se propaganda serbe e Bosnjës, që minimizon shtrirjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) në vitet 1990, përfshirë gjenocidin kundër boshnjakëve në Srebrenicë, të kujton antisemitizmin nazist.

Rosenhaft iu referua raportit mbi “Vuajtjet e të gjithë njerëzve në rajonin e Srebrenicës midis 1992-1995”, i cili u botua javën e kaluar. Komisioni i kryesuar nga akademiku izraelit, Gideon Grief, e quajti atë një “turpërim”.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se bllokimi i institucioneve në BiH është i papranueshëm. Këto ndalime u njoftuan nga përfaqësuesit e njësisë së mbizotëruar nga serbët e BiH në Republika Srpska (RS) pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon mohimin e gjenocidit.

Kreu i partisë më të madhe kroate Unioni Demokratik i Kroacisë (HDZ – BiH), Dragan Çoviç reagoi gjithashtu ndaj komenteve, duke vënë në dukje se bisedimet e vazhdueshme rreth periudhës së luftës dhe temat e lidhura lënë mënjanë rrugën euroatlantike të BiH dhe atë të reformës zgjedhore. Kjo, pavarësisht se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje për këtë çështje.

“Treguesit e një krize të tillë vijnë pothuajse çdo ditë nga qendra të ndryshme të pushtetit”, tha udhëheqësi kroat pa specifikuar se kujt i referohej.

Sipas udhëheqësit të HDZ-së BiH, jo vetëm personeli nga RS-ja mund të mbahet përgjegjës për bllokimet.

Duke komentuar vendimin se mohimi i gjenocidit është krim, Çoviç tha se çdo krim lufte meriton dënim dhe se gjykatat do të kenë fjalën e fundit në raste të tilla.

Mohimi i gjenocidit

Përfaqësuesi i Lartë “në largim” i Bosnjë dhe Herzegovinës, Valentin Inzko, vendosi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës, të cilat ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës.

Vendimi erdhi disa ditë para se Inzko të largohej nga zyra dhe t’i dorëzojë detyrën diplomatit gjerman, Christian Schmidt.

Ndryshimet e ligjit që vendosi Përfaqësuesi i Lartë, ndër të tjera, përcaktojnë dënimin me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, për atë që “fal publikisht, mohon, banalizon ose përpiqet të justifikojë një krim të gjenocidit, krime kundër njerëzimit ose një krim lufte”.

Më tej, Inzko shprehu një shqetësim të thellë “lidhur me individë të shquar dhe autoritete publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilët vazhdojnë të mohojnë që aktet e krimeve të gjenocidit kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ishin kryer gjatë konfliktit të armatosur”.

Mohimi shkon tek ata individë dhe autoritetet publike, që sipas tij, vënë në dyshim publikisht legjitimitetin e gjykimeve të lëshuara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Apo edhe për ata individë dhe autoritete publike, të cilët nderojnë ose vlerësojnë kriminelin e dënuar të luftës.

Ai, gjithashtu, kujtoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të përsëritur pohoi se roli i të dërguarit ndërkombëtar në BiH, si një autoritet përfundimtar në zbatimin e marrëveshjes së paqes, përfshin “autoritetin për të marrë vendime të detyrueshme, pasi gjykon të nevojshme çështjet siç janë përpunuar nga Këshilli i Zbatimit të Paqes në Bon më 9 dhe 10 dhjetor 1997.

“Të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të ketë pajtim pa pranimin e krimeve dhe përgjegjësive dhe se gjuha e urrejtjes, lartësimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi ose mohimi i plotë i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të vendosura nga vendimet përfundimtare gjyqësore minon rregullin e ligjit dhe përfaqëson një pengesë të drejtpërdrejtë për paqen, pajtimin dhe ndërtimin e besimit dhe në fund të fundit minon perspektivat për një të ardhme të sigurt, paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore