Shqipëria

Katër të arrestuar në Dibër, kontrabandim i shtetasve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së


Në Dibër, policia ka njoftuar se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “SMUGGLING” në të cilin janë arrestuar katër persona, dy janë shpallur në kërkim kurse një tjetër është nën hetim në gjendje të lirë

Prej njoftimit të policisë mësohet se grupi ushtronte aktivitetin e paligjshëm të kontrabandimit të shtetasve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së.

Si rezultat i operacionit është arrestuar shtetasi A. M., 23 vjeç, me origjinë nga Siria, i cili kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale.

Shtetasi D. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte rolin e ndihmësit të grupit për transfertën e pagesës dhe shtetaset A. A., 20 vjeçe; J. K., 26 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.

Kurse në kërkim janë shpallur shtetasit M. A., me origjinë nga Siria, i cili siguronte mjetet e transportit për kalimin e kufirit dhe A. M., me origjinë nga Siria, i cili ndihmonte dhe shoqëronte emigrantët, kryesisht ata nga Siria, për kalimin e kufirit me Kosovën.

Kjo, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.

Gjatë operacionit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në një hotel, gati për të transportuar pesë shtetas sirianë.

Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasi P. P., 68 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin kalimin e shtetasve me origjinë siriane, nga Turqia nëpërmjet Greqisë, futjen në territorin shqiptar, strehimin e tyre në hotele të ndryshme në Tiranë, gjetjen e personave për të kryer transportimin e tyre.

Aktivitet ky, i kryer duke ndjekur rrugën e Arbrit në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari.

Nga ana tjetër, shuma e parave që çdo emigrant i paligjshëm paguante varionte nga katër mijë deri në gjashtë mijë euro, të cilat i  kryenin nëpërmjet kompanive për shërbimet e transfertave të parave.

Në vijim të hetimeve, policia ka dokumentuar se këta shtetas janë autorët e dy rasteve të tjera të tentativës për të transportuar emigrantë të paligjshëm, gjatë muajve janar dhe shkurt.

Në momentin që janë konstatuar, këta shtetas kanë përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë, kanë braktisur mjetet dhe janë larguar.

Po si rezultat i këtij procedimi, në muajin dhjetor 2021 janë arrestuar në flagrancë nga Policia shtetasit S. K. dhe N. K., të cilët janë kapur duke transportuar shtetas sirian.

Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të këtij operacioni janë kapur dhe shoqëruar gjithsej 35 shtetas sirian.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre automjete, një laptop, 12 telefona celularë, një mijë euro dhe pesë pasaporta.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe kapjen e atyre të shpallur në kërkim.

Kurse materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore