Lajme

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer viziton Kosovën


Karl Nehammer, Kancelar i Auatrisë

Kancelari austriak, Karl Nehammer, këtë të premte do të qëndroj për vizitë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ai do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe udhëheqësit tjerë të shtetit të Kosovës.

Vizitën e tij në Ballkanin Perëndimorë, Nehammer do ta filloj në Serbi, të premten paradite, më pas do të vij në Kosovë, ku takimet e para janë planifikuar të realizohen pas orës 16:00, dhe më pas ai do të vazhdojë për në Bosnjë e Hercegovinë.

Para vizitës, kancelari austriak ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij nuk duhet ta lënë “këtë rajon mënjanë” sepse është i rëndësishëm për Evropën, sidomos në raport me akterët e tjerë “si Rusia, dhe nuk do të lejojmë që rajoni të destabilizohet”.

Nehammer ka bërë të ditur se BE-ja ka një interes të veçantë për zhvillimin e mirë ekonomik në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi një interes të veçantë për stabilitetin dhe zhvillimin e mirë ekonomik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Invazioni rus mbi Ukrainën, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj afrimit të ngadaltë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Andaj, Nehammer lidhur me këtë në vizitën e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dëshiron të theksojë se BE-ja nuk do të jetë e plotë pa shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër lidhur me luftën në Ukrainë, të gjitha shtetet e rajonit janë pozicionuar kundër Rusisë, përveç Serbisë e cila po vazhdon të luaj me dy karta; nga njëra anë duke njohur sovranitetin territorial të Ukrainës dhe në anën tjetër duke mos vë sanksione Rusisë, ashtu siç po veprojnë të gjitha vendet e BE-së, përfshi edhe vendet e tjera të rajonit.

Karl Nehammer, Kancelar austriak

BE konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor përkatësisht Kosova dhe BeH mund të jenë vende ku do të përpiqet Rusia t’i destabilizoj mbi baza etnike.

Rajonin e Ballkanit Perëndimor së fundmi e ka vizituar Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë/ Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borell dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Karl Nehammer në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme të Austrisë kishte vizituar Kosovën më 28 shtator të vitit të kaluar, duke bërë thirrje për vigjilencë sa i përket situatës në Veri të krijuar pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet të targave me Serbinë dhe bllokadës së serbëve në dy pikat kufitare; Jarinje dhe Brnjak.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore