Lajme

Kanada/ Donatorët e huaj financuan “ekstremizmin” në vend


Një haker, i cili zbuloi emrat dhe vendndodhjet e më shumë se 90 mijë njerëzve që kontribuuan financiarisht për protestën e autokolonës kanadeze të kamionëve, tha se në të vërtetë kishin financuar “ekstremizmin” në vend.

Në një intervistë ekskluzive për agjencinë mediatike “The Guardian”, ai u shpreh se Kanadaja “nuk ishte e sigurt nga manipulimi politik i huaj”.

“Vihet re një shumë e madhe parash, të cilat nuk e kishin as origjinën se nga vinin”, tha hakeri, pjesë e grupit Anonymous.

Të dhënat e zbuluara treguan se më shumë se 90 mijë donacione u bënë përmes platformës së financimit GiveSendGo, ku shumica e fondeve duket se vijnë nga Kanadaja dhe SHBA-të.

Sipas të dhënave, individë në vende, si: Britania e Madhe, Holanda, Irlanda dhe Danimarka gjithashtu kanë dhuruar.

Amarnath Amarasingam, profesor në Universitetin Queens të Kanadasë dhe ekspert në ekstremizmin dhe lëvizjet sociale, në Twitter shkroi se nga 92 mijë 844 donacione, “51 mijë e 666 erdhën nga SHBA-ja, 36 mijë e 202 nga Kanadaja dhe 1 mijë e 831 nga Britania e Madhe”.

Donacionet e ardhura nga SHBA-ja kapën vlerën e 3.62 milionë dollarëve, ndërsa kanadezët dhuruan 4.31 milionë dollarë, shtoi ai.

Hakeri tha se numri i konsiderueshëm i donacioneve që vinin nga Kanadaja tregoi se disa njerëz në vend kishin rënë pre e ekstremizmit të stilit amerikan.

“Këtu në Kanada, ne gënjyem veten”, tha hakeri.

“Ne po ia mbushnim mendjen vetes se ajo s’mund të ndodhë këtu, nuk ka mundësi të ndodhë, ne jemi më të mirë. Tani njerëzit janë përballur disi me realitetin se ne kemi shumë më tepër të përbashkëta me fqinjët tanë në jug nga sa duam ta pranojmë”.

Të dhënat tregojnë se rreth një duzinë donatorësh përdorën adresat e emailit .gov në lidhje me donacionet, duke treguar se disa para erdhën nga punonjësit e qeverisë në SHBA.

Këto përfshinin llogari nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, NASA, Byroja Federale e Burgjeve dhe një korporatë shtetërore tranziti. Të dhënat përmbanin gjithashtu një adresë emaili të qeverisë kanadeze.

Kur u pyet se çfarë mesazhi ka publikimi i informacionit, hakeri tha se është mesazh për personat që duan të përhapin fashizmin apo ekstremizmin.

“Nëse jeni duke bërë disa lloje lëvizjesh fashizmi dhe ekstremizmi të brendshëm… (atëherë) nuk do të kaloni një moment të mirë, sepse haktivistët janë fokusuar gjithnjë e më shumë për të luftuar ekstremizmin e brendshëm”.

Të dielën, domeni në internet i GiveSendGo dërgonte përdoruesit e internetit një faqe që shfaq një pjesë të videoklipit të filmit të animuar Frozen me një mesazh për ekstremistët.

“Vëmendje, grabitësit dhe ziliqarët e GiveSendGo”, shkruhej në mesazh, “ju ndihmuat në financimin e kryengritjes së 6 janarit në SHBA, ju ndihmuat në financimin e një kryengritjeje në Otavë. Në fakt, ju jeni të përkushtuar të financoni çdo gjë që mban ndezur zjarrin e furishëm të dezinformatave derisa të djegë demokracitë kolektive të botës”.

“Në emër të njerëzve të arsyeshëm në mbarë botën, që dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë në një demokraci, tani po ju them se vetë GiveSendGo është bllokuar”, shkruhet në fund.

GiveSendGo u bë faqja kryesore për donacione, pasi një tjetër platformë, GoFundMe, bllokoi transfertat e parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore