Lajme

Kamberi kërkon më shumë prezencë ndërkombëtare në Luginën e Preshevës


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, konsideroi se mungesa e prezencës ndërkombëtare në Luginën e Preshevës nënkupton mungesë të rezultateve konkrete në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar që përbën shumicën në pjesën jugore të Serbisë.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) takoi të enjten shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret, të cilin e informoi mbi zhvillimet politike dhe situatën në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – por edhe për mosgatishmërinë e skajshme të Qeverisë së Serbisë për të akomoduar kërkesat e shqiptarëve atje.

“Njoftova ambasadorin me situatën në Luginë të Preshevës dhe mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të punuar në zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi. Informova ambasadorin që prezenca më e madhe e ndërkombërëve është e domosdoshme dhe se mungesa e prezencës së tyre nënkupton mungesë të rezultateve konkrete”, shkroi Kamberi.

Kamberi takoi gjatë javës edhe Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili theksoi se të drejtat e komuniteteve joshumicë janë çështje kyçe në procesin e integrimit evropian të Serbisë, ndërsa zëri i vetëm i shqiptarëve atje theksoi se Lajçakun e njoftuan për mosgatishmërinë e Serbisë për t’i integruar shqiptarët në institucione shtetërore serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore