Lajme

Kaliningrad: Çfarë është enklava ruse dhe çfarë mund të ndodhë me bllokimin e tranzitit të mallrave të vendosur nga Lituania


Të premten, Lituania ndaloi trafikun hekurudhor në territorin e saj të mallrave që i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, duke izoluar enklavën e Kaliningradit me pamje nga Deti Baltik.

Moska ka reaguar dje duke paralajmëruar se nëse Vilnius nuk heq bllokadën, do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.

Çështja, thotë guvernatori i Kaliningradit Anton Alikhanov, “mund të zgjidhet me mjete diplomatike” dhe për këtë arsye Ministria e Jashtme ruse ka thirrur ambasadorin e Bashkimit Evropian në Moskë Markus Ederer.

Çfarë është Kaliningrad dhe ku ndodhet?

Kaliningrad është një enklavë ruse, një territor rus i ndarë nga Atdheu, i cili ndodhet midis Lituanisë dhe Polonisë dhe ka pamje nga deti Baltik, i të cilit është një nga portet kryesore. Së bashku me atë të Baltijsk është i vetmi port rus në rajon i hapur tërësisht dhe që nuk ngrin nga akulli gjatë vitit. Flota e Balltikut ndodhet aty që nga viti 1952.

Kaliningrad është kryeqyteti i rajonit homonim, ka pothuajse 500 mijë banorë dhe është një pararojë ushtarake prej ku Moska mund të kërcënojë Evropën: raketat e lëshuara nga enklava – madje edhe Iskanderët me aftësi bërthamore – mund të godasin Berlinin dhe qytetet kryesore të Evropës Lindore.

Ai u aneksua në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore – deri në vitin 1946 quhej Königsberg dhe ishte gjerman: filozofi Immanuel Kant lindi atje – dhe u quajt Kaliningrad për nder të Mikhail Kalinin, presidentit të parë të Sovjetit Suprem dhe heroit të revolucioni rus.

Gjatë presidencës së Vladimir Putinit enklava fitoi një rëndësi më të madhe strategjike në përgjigje të rrugëtimit të Republikave Balltike dhe Polonisë drejt Evropës dhe NATO-s. Që atëherë, Balltiku është bërë pellgu i rrezikshëm i lojërave luftarake, atyre që quhen stërvitje të përbashkëta dhe që mbeten paqësore derisa të vërtetohet e kundërta.

Çfarë ka vendosur Lituania?

Të premten, qeveria lituaneze ndaloi transitin e mallrave që i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare drejt Rusisë me hekurudhë në territorin e saj. Kështu që importi dhe eksporti i metaleve, materialeve të ndërtimit, qymyrit dhe pajisjeve teknologjike janë bllokuar. Kjo duket qartë një masë që në mënyrë të padeklaruar paralizon trafikun e Moskës drejt rajonit të Kaliningradit.

Pse Moska po kërcënon me pasoja?

Moska reagoi ashpër ndaj kufizimeve të Lituanisë në trafikun hekurudhor të mallrave midis enklavës ruse të Kaliningradit dhe pjesës tjetër të territorit rus.

“Bllokada fillestare” e Kaliningradit shkel të drejtën ndërkombëtare, shkruan Konstantin Kosachev, nënkryetar i Këshillit të Federatës Ruse, dhoma e lartë e parlamentit, në një postim në Telegram.

“Si një vend anëtar i BE-së, Lituania po shkel një sërë aktesh ligjërisht të detyrueshme ndërkombëtare” shtoi ai, duke iu referuar marrëveshjes së partneritetit midis BE-së dhe Rusisë, e cila ndalon ndërhyrjen në rrjetet e tyre përkatëse të transportit.

Sipas guvernatorit të Kaliningradit, Anton Alikhanov, 40-50% e tranzitit të mallrave është prekur, veçanërisht në lidhje me metalet dhe materialet e ndërtimit. “Këto janë hapa që mund të kenë implikime të gjera,” tha guvernatori Alikhanov. “Sanksionet zbatohen për ngarkesat ruse të destinuara për në BE. Shkëmbimet e ndërsjella janë të ndaluara. Por ajo që kemi është një tranzit nga Rusia në Rusi. Është një përcaktim tjetër ligjor”.

“Këtu nevojitet sqarim i mëtejshëm. Hekurudhat e Lituanisë e kuptojnë këtë dhe i kanë dërguar një kërkesë të mëtejshme Komisionit Evropian, duke kërkuar një përgjigje të saktë për tranzitet për në Kaliningrad. Është obligim i BE-së”, përfundoi Alikhanov, “të mos e pengojë këtë tranzit”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se tranziti i “pasagjerëve” dhe “mallrave që nuk i nënshtrohen sanksioneve” në territorin e Lituanisë midis Rusisë dhe enklavës së Kaliningradit “vazhdon” dhe Vilnius, duke bllokuar mallrat e sanksionuara, thjesht po zbaton rregullat e BE-së, saktësoi më tej dje në një konferencë për shtyp në Luksemburg.

“Unë jam gjithmonë i shqetësuar nga raprezaljet ruse”, saktësoi diplomati evropian, “por le të rrimë të bazuar në fakte: tranziti tokësor midis Kaliningradit dhe pjesëve të tjera të Rusisë nuk është ndalur. Lituania nuk ka miratuar asnjë kufizim të njëanshëm kombëtar, por vetëm po zbaton sanksionet e BE-së”.

Çfarë mund të ndodhë tani?

Prej muajsh televizioni rus ka bërë thirrje të vazhdueshme për krijimin e një korridori mes Kaliningradit dhe pjesës tjetër të vendit, i cili do të ishte i mundur vetëm me një sulm ushtarak. Moska ka prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me Lituaninë, i pari nga vendet baltike që u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990.

Pas fillimit të “operacionit ushtarak special” të Putinit në Ukrainë, sheshet dhe rrugët, kushtuar të vdekurve në janar 1991, janë shumuar në Lituani. Momenti kur trupat sovjetike sulmuan ndërtesat qeveritare në Vilnius për të ndërprerë procesin e pavarësisë së vendit.

Siç shpjegoi Wolfgang Münchaulo vitin e kaluar “nga historia evropiane mësuam se sa të rrezikshëm janë korridoret”. Ai i Suëalki-t, rreth 300 kilometra i gjatë, fillon nga Kaliningrad, i cili kalon në territorin polak dhe bashkon esklavën me Bjellorusinë e Lukashenkos, aleat besnik i Kremlinit.

“Korridori”, shpjegoi Münchaulo, mund të shndërrohet në “një bravë të dyfishtë për vendet baltike. Bllokada e Suëalkit do të forconte kontrollin e Kremlinit mbi Bjellorusinë dhe do të ekspozonte sigurinë e Polonisë ndaj rreziqeve të mëtejshme”.

Autori Andrea Marinelli shkruan për “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore