Sport

Kaka: Liga e Kombeve po i dëmton kombëtaret amerikano-latine


Liga e Kombeve është gara më e fundit për kombëtare që u krijua nga UEFA, e cila filloi në vitin 2018 kryesisht për t’i zëvendësuar ndeshjet miqësore.

Me fillimin e kësaj gare, tani kombëtaret evropiane rrallë herë mund të zhvillojnë takime miqësore.

Ky fakt ndoshta penalizon kombëtaret e kontinenteve tjera, pasi e kanë gati të pamundur të përballen në ndonjë takim miqësor me kombëtare evropiane.

Këtë gjë së fundmi e ka pohuar edhe legjenda e Brazilit dhe Milan-it, Ricardo Kaka.

“Ne amerikano-latinët, kemi disavantazh. Me krijimin e Nations League nuk mund të luajmë më ndeshje miqësore kundër skuadrave më të mira të Evropës”, ka thënë Kaka.

“Kjo na bën më pak konkurrues, pasi për shembull Brazili është një kombëtare favorite më këdo që ndeshet jashtë kombëtareve evropiane”, shtoi legjenda e Milan-it.

“Mungesa në këto lloj ndeshje e bën më të vështirë përparimin e kombëtareve amerikano-latine në aspektin tekniko-taktik”, tha braziliani.

Kujtojmë që dy edicionet e para të Ligës së Kombeve i fituan Portugalia në vitin 2019 dhe në vitin e kaluar triumfoi Franca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore