Lajme

Joseph: Pas sulmit në Banjë, Vuçiç është në pozitë të cenueshme


Edward Joseph

Edward Joseph – ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, pozita e Beogradit është dobësuar, teksa ka vlerësuar se është momenti i duhur që bashkësia ndërkombëtare ta kërcënojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me sanksione.

“Besoj se është thelbësore të përfitohet nga kjo situatë me kërcënime me sanksione dhe faktin që presidenti Vuçiç është në defensivë. E rikujtoj se BE-ja e quajti atë një sulm terrorist”, tha Joseph në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Kjo, sipas tij, do të thotë se Vuçiç tani “është në një pozitë të cenueshme”, prandaj ai kërkon që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës “të përfitojnë nga kjo dhe t’u paraqesin palëve një dokument ‘merre ose lëre’, me zbatim të qartë, duke përfshirë hapat që duhet të ndërmarrë Beogradi, në mënyrë që zbatimi të jetë i barabartë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Tutje, profesori amerikan ka theksuar se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, të gjitha lëvizjet e presidentit serb, nuk kanë qenë në funksion të qetësimit të situatës, përkundrazi.

“Ne e dimë tashmë se çfarë bëri presidenti Vuçiç pas 24 shtatorit, dhe po pyes nëse lëvizjet e Vuçiç-it janë përshkallëzim në vend të qetësimit. Vuçiç e ka përshkallëzuar edhe më shumë situatën”.

“Edhe Kisha Ortodokse Serbe ishte distancuar, duke shprehur ngushëllimet e saj me rastin e policit të vrarë. Por shpallja e zisë treditore, gjuhë e ashpër nxitëse ndaj Albin Kurtit në mediat serbe, dërgimi i armëve në kufirin me Kosovën, ky është një përshkallëzim i qartë i Vuçiç-it, i cili menjëherë pas Banjës u takua me ambasadorin rus”, shtoi.

Në situatën aktuale, sipas Joseph është krijuar mundësia që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë zbatim të asaj që është rënë dakord nga Kosova dhe Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore