Lajme

Jo të gjithë kryetarët e komunave i përgjigjen thirrjes së Kryeministrit për takim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur në takim kryetarët e komunave për të diskutuar rreth menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19. Por disa kryetarë tashmë kanë konfirmuar mos-pjesëmarrjen e tyre në takim.

Pjesë e këtij takimi nuk do të jetë as Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Për Albanian Post, kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë se “Asociacioni i komunave nuk ka qenë i ftuar, kanë qenë vetëm kryetarët e komunave mirëpo bordi i asociacionit ka marrë vendim dhe i ka ftuar kryetarët e komunave që mos të shkojnë në këtë takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, është shprehur Ibrahimi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një prononcim të shkurtë për Albanian Post, ka treguar se nuk është pjesë e takimit.

“Jo nuk do të shkoj”, është deklaruar ai.

Mos pjesëmarrës në takim nuk do të jetë as kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë Tahiri.

Thirrjes dhe vendimit të bordit të asociacionit të komunave të Kosovës i është përgjigjur edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Pa marrë parasysh se qysh e çka mendoj vetë unë e respektoj vendimin e Asociacionit”, është shprehur ai.

Kërkesën e AKK-së për mos pjesëmarrje në këtë takim e ka pranuar edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ndonëse këta kryetarë të komunave kanë refuzuar takimin me Kurtin, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka pohuar një gjë të tillë.

Përveç Haskukës, siç tregon edhe vetë kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë deklaruar se janë pro këtij takimi duke e konfirmuar prezencën e tyre në takim.

Ftesës së Kryeministrit Kurti i është përgjigjur pozitivisht edhe komuna e Ferizajt, duke e dërguar në takim nënkryetarin e Ferizajt, Arton Gavazi.

Ndërkaq, për herë të parë mblidhet komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë, në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e këtij takimi foli për rrezikun nga varianti i ri i COVID-it, Delta dhe karakteristikat specifike të tij në shpërndarje të shpejtë.

“Pardje kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin dhe luftimin e virusit Corona. Këto masa janë të domosdoshme për ta vënë nën kontroll situatën epidemiologjike në vend. Megjithatë, për të qenë edhe të mjaftueshme për ta arritur këtë qëllim, nuk mund të mbesin këto masa vetëm në letër. Në mënyrë që të jenë efikase, duhet edhe të zbatohen me përpikëri. Kjo varet jo prej meje, por prej jush: Sa të suksesshme do të jenë këto masa, e kanë në dorë anëtarët e këtij Komiteti dhe institucionet të cilat ju i udhëhiqni”, ka thënë Kurti.

Kryeministri tha se çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë. Për këtë arsye, ai kërkoi nga anëtarët e Komitetit të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre.

“Në variantin Delta, kemi një armik të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm. Për shkak të disa karakteristikave specifike të këtij varianti, kam disa kërkesa të posaçme për këtë Komitet”.

Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 është themeluar dje, me datë 30 gusht 2021, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Komiteti përbëhet nga 27 anëtarë që janë përfaqësues të institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore e qeveritare dhe kryesohet nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore