Lajme

Jeta e re e grave në Kabul


Ditën e parë të plotë të sundimit të talebanëve në të gjithë Afganistanin, rrugët e Kabulit u zbrazën nga gratë, ndërsa militantët patrulluan në makinat e sekuestruara nga policia, konfiskuan armët nga rojet e sigurisë dhe u bënë thirrje dyqanxhinjve dhe punonjësve të qeverisë të ktheheshin në punë.

Kaosi u pёrhap gjithandej në aeroport, ku trupat përdorën armë dhe helikopterë për të pastruar pistat, teksa disa njerëz vdiqën në përpjekjet e minutës së fundit duke u kapur pas aeroplanëve në nisje.

Njerëz në pritje në aeroportin e Kabulit

Në pjesën tjetër të qytetit njerëzit që mendonin se nuk kishin shpresë për të ikur jashtë po peshonin nëse duhej të fshiheshin, apo të vlerësonin formën e jetës së tyre të re nën sundimin e ashpër të talebanëve.

Ndryshimi u pasqyrua në televizion, ku lajmet dhe telenovelat nga India dhe Turqia i lanë vend programeve fetare pa reklama, madje edhe në kanalin kryesor “Tolo” i cili fitoi një reputacion për pritjen e shfaqjeve të njohura që do të ishin ofensive për talebanët, siç është talenti i konkursit Ylli Afgan.

Shumica e bizneseve u mbyllën edhe pse talebanët u kishin kërkuar njerëzve të ktheheshin në punë dhe në jetën normale. Vetëm disa furra buke, dyqane ushqimore dhe restorante të hapura në mënyrë që njerëzit të mund të ushqeheshin.

Luftëtarët e konsoliduan kontrollin e tyre në qytet, duke vizituar komplekset për të mbledhur armë nga rojet e sigurisë private dhe duke festuar fitoren e tyre jashtë ambasadës tashmë të braktisur amerikane.

Luftëtarë talebanë përballë pallatit të Presidentit.

Por udhëheqësit kryengritës, të prirur pёr të projektuar një imazh të një qeverie në pritje-vizituan kompaninë kombëtare të energjisë dhe spitalet dhe thanё se gratë punonjëse të kujdesit shëndetësor duhet të qëndrojnë në post.

Ata gjithashtu ftuan ministrin e Shëndetësisë Waheed Majrooh, një nga anëtarët e kabinetit, që nuk iku me presidentin Ashraf Ghani të dielën, të qëndrojë në postin e tij.

Ish-presidenti Hamid Karzai dhe i dërguari i lartë i paqes Abdullah Abdullah u shfaqën së bashku në një video, duke thënë se ata po punonin për një tranzicion paqësor.

Zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen, u ka bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë dhe të rifillojnë jetën e tyre.

“Vendi ynë ka nevojë për to. Ky është vendi i tyre, një vend i të gjithë afganëve”, duke shtuar se talebanët kishin premtuar se nuk kishte asnjë kërcënim për jetën.

Shumë ngurronin të besonin premtimet e një grupi që edhe javët e fundit ka kryer vrasje hakmarrëse dhe mizori të tjera, përfshirë masakrimin e ushtarëve të dorëzuar të qeverisë.

Gazetarët në Kabul raportuan se shtëpitë e tyre ishin vizituar tashmë nga talebanët dhe se ishin kontrolluar.

“Askush nuk po i përkrah gratë gazetare në Afganistan. Ne jemi të frikësuara se nëse talebanët na gjejnë patjetër që do të na vrasin”, tha një e fshehur për korrespondentin e të përditëshmes “The Guardian”.

Në disa pjesë të Afganistanit raportet për martesë të detyruar me luftëtarët talebanë, janё pёrhapur gjatё kontrolleve tё militantëve, javëve tё fundit.

Edhe pse udhëheqja talebane nuk ka vendosur rregullat e tyre të reja për banorët e Kabulit, luftëtarët përdorin altoparlantët për të njoftuar se gratë duhet të mbajnë burka ose hixhab të plotë, një abaja të gjatë me mbulesë fytyre.

Ushtarёt e tyre kanë filluar gjithashtu zbatimin e një kodi të ashpër në lidhje me sjelljen në pjesë të tjera të qytetit.

Shumë gra në Kabul nuk e posedojnë burka-n dhe janë përpjekur t’i gjejnë ato.

“Për mua një burka ka qenë gjithmonë një shenjë skllavërie. Je si një zog i bllokuar brenda një kafazi, nuk e kisha imagjinuar ta mbaja atë. Por në ditët e sotme nëse dua të shpëtoj jetën time”, shprehet njё grua pёr të përditëshmen britanike “The Guardian”.

Situata aktuale në Afganistan

Kaos dhe turbulli në aeroportin e Kabulit. Ishte kjo pamja e zgjimit të afganëve në një botë të re ditën e 16 gushtit, ku talebanët kanë marrë kontrollin e vendit pas.

Mësymja në Presidencën e Afganistanit, ishte veçse një formalitet i zyrtarizimit të kalimit të pushtetit nga një dorë në tjetrën.

Forcat amerikane kanë arritur të mbajnë nën kontroll aeroportin e Kabulit, ndërsa mijëra qytetarë gjendeshin aty për të lënë shtetin.

Dëshmitarë të rastit, kanë thënë për media lokale e të huaja, se frika është e madhe.

Nga ana tjetër, përfaqësia talebane ka bërë thirrje për të lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhet në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Tërheqja e trupave

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Gjithashtu, tërheqja e fundit e Kontingjentit VI dhe atij XIII për në Shqipëri u realizua më 21 qershor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u konfirmua për AP-në, se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të deklaruar në Afganistan.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani. Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit.

Pushteti i tyre mori fund pas ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare në vitin 2001.

Së fundmi talebanët kanë korrur një varg fitoresh në fushën e betejës – marrja e presidencës afgane kulmorja prej tyre – ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh.

Ky lajm ёshtё marrё dhe pёrshtatur nga The Guardian pёr Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore