Lajme

Jeff Bezos pensionohet me 199 miliardë dollarë


Themeluesi i kompanisë së shitjeve online “Amazon”, Jeff Bezos, do t’i dorëzojë titullin e tij si shefi ekzekutiv (CEO) Andy Jassy-t.

Pas më shumë se dy dekada, Bezos do t’i japë fund drejtimit të kompanisë të hënën e 5 korrikut. Ai e ka udhëhequr kompaninë, përmes evolucionit të saj, nga shitës librash në internet në kompani me vlerë rreth 1.75 trilionë dollarë.

Në muajin shkurt, kompania njoftoi se Bezos do të kalonte nga CEO në karrigen ekzekutive, duke thënë se ai dëshironte të shpenzonte më shumë kohë në sipërmarrjet e tij të tjera, duke përfshirë Washington Post, kompaninë hapësinore Blue Origin dhe filantropinë.

Çfarë do të ndodhë pas largimit të Bezos?

Pas ikjes së tij nga pozicioni i mëparshëm, Bezos, në sajë të të qenit aksionari më i madh individual në kompani, do të ketë ende një ndikim të jashtëzakonshëm në Amazon për vitet pasardhëse.

Ikja e Bezos si CEO vjen në një kohë kritike për Amazon.

Gjatë pandemisë, kërkesa për shërbimet e saj arriti kulmin, duke çuar në rritje fitimesh dhe punësimesh.

Por, rritja shpërthyese e kompanisë vetëm sa ka rritur vëmendjen e rregullatorëve, disa prej të cilëve besojnë se ajo është bërë shumë e madhe.

Të mos kesh njeriun më të pasur në Tokë në krye të kompanisë, mund ta ndihmojë atë t’i fshihet më mirë syrit të rregullatorëve. Dhe heqja dorë gjithashtu mund të ndihmojë në izolimin e Bezos nga kritikat e disa ligjvënësve.

Kohët e fundit Amazon është përballur me kritika për trajtimin e saj ndaj punëtorëve të magazinës, diçka që Bezos është zotuar ta adresojë si kryetar ekzekutiv.

Koha e tranzicionit të Bezos, në shumë mënyra, pasqyron atë të themeluesve të tjerë të Silicon Valley, për të cilët heqja dorë nga titulli i CEO-s do të thoshte thjesht humbje e vëmendjes, por jo domosdoshmërisht e gjithë fuqisë.

Bashkëthemeluesit e Google, për shembull, humbën titujt e tyre ekzekutivë në vitin 2019, mes kontrollit në rritje të rregullatorit të kompanisë, por ata mbeten në bord dhe mbajnë një klasë të veçantë aksionesh që u jep atyre të drejtë vote si aksionarë.

Bezos nuk ka të njëjtën fuqi votimi sa të gjithë aksionarët e mëdhenj, por ai mbetet aksionari më i madh i Amazon-it me një diferencë të madhe.

Që nga muaji i kaluar, Bezos zotëronte 51.2 milionë aksione, ose rreth 10% të aksioneve të zakonshme të Amazon-it, shumë më tepër sesa aksionari i dytë më i madh Vanguard Group, i cili mban rreth 6.5%.

Kur Bill Gates dha dorëheqjen si CEO në vitin 2000, Microsoft ishte një nga kompanitë më të fuqishme në botë, por ishte gjithashtu mes një beteje antitrust-i shumëvjeçare dhe po përballej me mundësinë e shkatërrimit nga qeveria amerikane.

Në atë kohë, Gates u pa si një monopolist i pamëshirshëm, por përqendrimi i tij në filantropi në vitet në vijim e ndihmoi të kultivonte një reputacion të ndryshëm si një bamirës global, ndërsa ai mbajti një rol udhëheqës në Microsoft për dy dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore