Lajme

Jasharaj: S’do të ketë vlerësim me test të mësimdhënësve


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve në Kosovë, po kërkohet që të ndryshohet pasi që legjislacioni aktual ka mungesë të besueshmërisë.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se vlerësimi i mësimdhënësve përmes testimit nuk do të bëhet asnjëherë.

“Po ne kemi thënë dhe e themi përgjithmonë, madje e them me gjuhën më të thjeshtë popullore që sa të jem unë dhe sa të ketë SBASHK, nuk do të ketë vlerësim me test. Por ne ka vite që i që i lusim MASHT-in dhe Qeverinë që ta forcojnë sektorin e inspektorëve profesional dhe që ata ta bëjnë vlerësimin nga afër”.

“Nuk jemi për të mos u bërë vlerësim por në një vlerësim me ndryshe dhe më për afër. Test kurrë, por kontrolle profesionale përmes inspektorëve po”, ka thënë Jasharaj për EO.

Ilustrim.

Ndërkaq, drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, ka deklaruar se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është duke u anashkaluar.

“Vlerësimi i performancës paraqet një obligim ligjor i cili është anashkalua për tash me vite me radhë, ky mos vlerësim i performancës ka rezultuar me një komunitet jashtëzakonisht të madh të mësimdhënësve, e cila pastaj po kthehet me një përkushtim më të dobët dhe një dekurajim për plotë ata mësimdhënës të vullnetshëm”.

Sipas tij, legjislacioni aktual ka mungesë të kredibilitetit.

“Është i rëndësishëm që të rishikohet edhe legjislacioni aktual, pasi që sikurse që është me një shpërndarje në vetëvlerësim të vetë mësimdhënësve, në vlerësim të portofolios, në vlerësim nga drejtori i shkollës, dhe në përqindje të vogël nga inspektori”.

Ndërsa konsideron që e vetmja zgjidhje është vlerësimi i mësimdhënësve në shkolla.

“Për të ardhur në një formulë të duhur, ne duhet të vijmë në një vlerësim të mësimdhënësve në nivel shkolle. Pra, të delegohet te mekanizmat brenda shkolle dhe një organ mbikëqyrës brenda vendit. Për të pasur këta mekanizma është shumë e rëndësishme meritokracia në punësim”, është shprehur Qehaja.

Drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja.

Edhe, mësimdhënësi në shkollën fillore “Bajram Curri”, në Sllatinën e Madhe, Fidan Hasani, ka vlerësuar se duhet të vazhdohet me procesin aktual të vlerësimit.

“Bëhet fjalë për një proces mjaft kompleks, për shkak të indikatorëve të shumtë që përdoren kudo në botë për ta vlerësuar performancën e mësimdhënësve, pastaj është vlerësimi i nxënësve, pastaj për aktivitete e lira”.

“E dyta është proces mjaft i ndërlikuar për shkak të natyrës së zbatimit dhe vështirësive, duke i ditur kapacitete e limituar që i ka Inspektorati. E treta është një proces mjaft i ndjeshëm për shkak të kaluarës së afërt dhe tendencat që ka pasur për t’i testuar mësimdhënësit, do të thotë ka pasur disa tendenca për të bërë një lloj vetingu te mësimdhënësit, dhe kjo ka krijuar disa pakënaqësi, dhe është krijua një lloj kundërshtie”, ka thënë Hasani.

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë, është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara. Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit të kaluar, kanë ngecje të theksuar në mësimnxënie.

Sipas Bankës Botërore, një fëmijë që ka shkuar në shkollë plot 13 vjet, deri kur i ka mbushur 18 vjet, në realitet ka bërë vetëm 7.5 vjet mësim. Pra, sipas BB-së, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.

Institucionet e vendit, janë kritikuar për mosndarje të mjaftueshme të mjeteve financiare për arsimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore