Kosova

Jasharaj, Nagavcit: Sa ishit deputete na mbështesnit, sot arsyetoni Qeverinë pa asnjë argument


Rrahman Jasharaj dhe Arbërie Nagavci

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, e cila paralajmërimin e sindikatës për grevë më 1 shtator e kishte quajtur kërcënim dhe si një vendim të papranueshme.

Sipas Jasharaj, kolltuku dhe funksioni e ka ndryshuar Nagavcin, e cila do të duhej të angazhohej të punonte si ministre për të aranzhuar fillimin e bisedime në mes të Qeverisë dhe sindikatës, kështu që këta dy të fundit do të gjenin zgjidhjen për kërkesat e SBASHK-ut dhe sindikatave të tjera, për të mos pasur nevojë për veprime sindikale dhe për grevën e përgjithshme.

“Mirëpo kjo nuk ndodhi e në vend të kësaj Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, po alarm , do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti”.

Sipas Jasharajt, Nagavci si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme duke deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë se “greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes”, e ndërsa sot e njëjta arsyeton Qeverinë pa as edhe një argument.

“Ministre opinionit duhet thënë të vërtetën dhe nëse bazohemi në fakte, atëherë SBASHK-u dhe sindikatat tjera më shumë se në të kaluarën tani kanë arsye të shkojnë në veprime sindikale dhe në grevë të përgjithshme sepse: Dërguam dhjetëra herë shkresa për takime me institucionet me qëllim që të bisedojmë për kërkesat e anëtarësisë dhe të mundoheshim bashkërisht të gjejmë zgjidhje të pranueshme, por Qeveria heshti ndaj këtyre angazhimeve tona dhe i iku dialogut dhe takimeve”.

Sipas tij nëse ministrja Nagavci në të vërtet do të brengosej për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva do të angazhohej për dialog e rrjedhimisht për të gjetur zgjidhje të pranueshme për kërkesat e SBASHK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore