Kosova

Jasharaj: Kurti të anëtarësohet në SBASHK dhe të kandidojë për kryetar


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e ka vlerësuar si të gabuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti karshi sindikatave në Kosovë, duke e ftuar atë që të anëtarësohet në SBASHK.

“Nëse aq shumë i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, pastaj e fiton të drejtën të kandidohet për kryetar, do të jetë kundërkandidat i imi, nëse anëtarësia e voton unë ia bëj ‘për hajër’ e atëherë le ta udhëheq edhe qeverinë edhe sindikatën”, deklaroi Jasharaj.

Sipas tij, Kurti nuk duhet të ndërhyjë në sindikata, derisa potencon se i njëjti ka shumë punë për të bërë në qeveri nëse dëshiron të përmirësoj kushtet e punës për mësimdhënësit.

Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

“Nëse shkollat janë keq, kryeministri nuk ka nevojë të dalë e të më kritikojë mua dhe SBASHK-un, por të merr veprime konkrete, në qeveri të ndajë mjete konkrete dedikuar për çështje konkrete”.

“Të ndajë mjete për laptop, por t’ju drejtohet edhe vendeve mike që nuk përtojnë të na ndihmojnë që edhe ata të ndihmojnë me disa laptop, të kemi projektor, të kemi sapunë, sepse ka edhe shkolla që nuk kanë as ujë të pijshëm dhe këtë duhet ta dijë kryeministri”, shtoi tutje ai për KosovaPress.

Ndërsa për aktin e dorëheqjes, ai thotë se do ta ndërmarrë vetëm nëse këtë ia kërkon anëtarësia.

“Asnjëherë nuk do të jap dorëheqje pse e kërkon qeveria e për kërkesa të qeverisë, dorëheqja ime do të jetë publike nëse për këtë thotë anëtarësia, prilli po vjen dhe thash nga takimet që i kemi me nivelet komunale unë e kam përkrahjen e plotë pa bërë fushatë dhe këtë përkrahje, këtë besim të tyre do ta mbaj dhe do ta realizoj”.

Jasharaj ju përgjigj Kurtit edhe sa i përket marrëveshjes që kishin bërë në vitin 2017 me PAN-in.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Rrahman Jashari.

“I kemi bërë kërkesë të njëjtë të gjitha subjekteve politike që po garonin për ta marrë pushtetin, për ta udhëhequr Kosovën, i kemi dërguar letër të njëjtë LDK-së, LVV-së, Aleancës pastaj që u bënë PAN, Nismës, madje ju kemi dërguar letër edhe partive të komunitetit turk dhe boshnjak”.

“Të gjithëve ju kemi dërguar letra, kemi marrë përgjigje vetëm nga PAN-i atëherë dhe do të ishte jonjerëzore t’i themi PAN-it ‘valla të tjetër nuk po duan nuk po vijmë as tek ju’. Ne kemi pritur që të gjithë do ta pranojnë këtë kërkesë tonën”.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore