Bota

Izraeli miraton hapat për të lehtësuar bllokimin e Rripit të Gazës


Më 2 shtator, Izraeli ka miratuar një sërë masash, të cilat lehtësojnë bllokimin e tij në Rripin e Gazës, duke përfshirë hapjen e kalimit kryesor tregtar me enklavën palestineze për importe.

Ky njoftim erdhi një ditë pasi zyrtarët izraelitë lejuan importimin e materialit ndërtimor të nevojshëm për rindërtimin e Rripit të Gazës pas konfliktit të fundit në maj.

Tensionet janë rritur javët e fundit, pasi aktivistët e Hamasit kanë lëshuar balona ndezëse në Izrael, duke ndezur një numër zjarresh në të gjithë kufirin dhe organizuan një seri demonstratash ndonjëherë të dhunshme përgjatë gardhit kufitar me Izraelin.

COGAT (Organi Izraelit i Mbrojtjes Përgjegjës për Çështjet Civile Palestineze) në një deklaratë, tha se qeveria miratoi zgjerimin e zonës së peshkimit në Rripin e Gazës, hapjen e Kalimit Kerem Shalom, rritjen e furnizimit me ujë në territor dhe rritjen e numrit të tregtarëve gazanë të lejuar për të hyrë në Izrael.

Ai tha se këto hapa ishin “të kushtëzuara nga ruajtja e vazhdueshme e stabilitetit të sigurisë së rajonit për një afat të gjatë”.

Një ushtar izraelit, i cili u qëllua nga një protestues më 21 gusht, humbi jetën nga plagët më 30 gusht.

Dy palestinezë, duke përfshirë një djalë 12-vjeçar dhe një militant të Hamasit, gjithashtu janë vrarë nga të shtënat me armë izraelite gjatë protestave të fundit përgjatë kufirit.

Izraeli dhe Egjipti kanë bllokuar Rripin e Gazës që kur Hamasi mori kontrollin e territorit në 2007, një vit pasi fitoi zgjedhjet palestineze.

Bllokada, e cila kufizon lëvizjen e mallrave dhe njerëzve brenda dhe jashtë Gazës, ka shkatërruar ekonominë e Gazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore